Profesori Artan Fuga në bisedën me gazetarin Adi Krasta ka folur dhe për mundësinë që ai të kandidojë për postin e presidentit.
Fuga tha se politikani shqiptar e ka shtypur intelektualin shqiptar, dhe është nevoja që të ketë sa më shumë prurje intelektuale në jetën politike.
Po sikur të bashkohen disa njerëz pro Fuga dhe t’ju propozojnë juve që të bëheni presidenti i ardhshëm i Shqipërisë, çfarë do të kishit thënë?
“Ti e bën golin në sekondën e fundit. Kjo është një pyetje që nuk ka të bëj me mua. Unë e kam thënë që angazhimi im qytetar dhe intelektual është të kontribuoj në zhvillimin e elitave intelektuale, universitare, të zhvilloj kritikën sociale, të shprehem vetë, të krijoj struktura ku intelektuali të shprehet. Ky është një mision i jashtëzakonshëm dhe unë po ju them pa modesti që këtij misioni ia vlen t’i kushtosh jetën.
Nuk do lodhem kurrë, deri sa Shqipëria të mos dëgjojë vetëm fjalime politike por të fillojë të mendojë intelektualisht. Ua them me sinqeritet politikani shqiptar e ka shtypur intelektualin shqiptar. Kjo është kryesorja dhe kjo është strategji e madhe. Ç’rëndësi ka një president para kësaj. S’ka asnjë lloj rëndësie. Nuk mendoj se forcat dhe energjitë e mëdha të Shqipërisë qëndrojnë tek zyra e Presidentit.
Dua të them një gjë akoma më delikate, unë mendoj që ka ardhur momenti ku sa më shumë intelektualë të futen në politikë, unë apo të tjerë s’ka rëndësi. Ka boll të rinj që mund të japin kontribut. Unë ëndërroj që në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë të ketë lista intelektuale, grupe intelektualësh që të jenë bashkëudhëtarë por edhe grupe presioni me partitë politike. Unë mendoj që koha po vjen për këtë”.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post