Deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu, thotë se votimet e 14 Majit treguan se opozita ka nevojë për qarkullim të elitave.
Agalliu foli për përçarjen e brendshme në PD, ku tha se demokratët treguan se janë kundër bashkëpunimit me Ilir Metën, por edhe ndarjen nga e shkuara.
“Këto nuk ishin zgjedhje normale, PD vinte pas një situate të vështirë brenda saj, një grupimi që mendon se zoti Berisha është e ardhmja, ndërkohë një grupim tjetër që kërkon qarkullim elitash, besojmë që ka ardhur koha të kemi qarkullim elitash. Larg të shkuarës, që çoi PD që të humbiste me një numër prej 1 milion votash. Të ndarë nuk shkojmë në asnjë vend, demokratët e dhanë sinjalin që nuk e duan bashkëpunimin me zotin Meta, dhe larg figurave të konsumuara dhe të padëshirueshme nga SHBA”, tha Arbi Agalliu për gazetaren e Fax news Rugova Dunisha.
I pyetur në lidhje me drejtimin e PD-së, nëse do të zgjidhet Jorida Tabaku, apo një organ kolegjial, Agalliu u shpreh:
Një gjë bjemë dakord të gjithë, PD duhet të hyjë në procesin e kryetarit të ri, kushdoqoftë ai.
Sa i takon mundësisë së rikthimit të Lulzim Bashës, Agalliu tha: Kushdo që përmbush kriteret për të qenë kryetar i PD-së ka të drejtë që të marrë pjesë në garë. Kushdo që do të jetë në drejtimin e PD duhet të bëjë partinë me produktive në zgjedhjet e 2025-tës, si dhe të jetë e hapur për çdo kontribut të individëve që kanë pasur rol në PD.
Zoti Berisha duhet të mbajë përgjegjësi personale në raport me këto zgjedhje, dorëheqjen e tij e kam kërkuar që në momentin e largimit të Lulzim Bashës. Qëndrimi i Berishës e ka të pamundur që ta sjellë PD në pushtet, pasi ka një proces të hapur me SHBA-të. Në një vend anëtar të NATO kryeministri nuk mund të jetë non grata. Është fatkeqësi që harta e Shqipërisë është sot mavi, secili duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë.
Nuk kemi luksin që të humbasim as edhe një votë, duhet të vendosim kontributet tona për të qenë më produktiv në 2025. Është e pamundur që të lufosh një ministër të korruptuar sot me një kryeministër të korruptuar dje. Ndaj është domosdoshmëri qarkullimi i elitave.