Në kushtet kur kriza politike po thellohet çdo ditë e më shumë është ende i paqartë fati i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Opozita ka deklaruar se nuk do të marrrë pjesë në to, nëse nuk largohet kryeministri Rama. Kurse mazhoranca nga ana tjetër ka deklaruar se do të hyjë në zgjedhje pavarësisht faktit nëse opozita nuk do të marrë pjesë.
I pyetur dje në emisionin “Përballë” nëse do të votojë apo jo në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Presidenti Meta deklaroi qartë se: “Shqiptarët gjithmonë kanë votuar. Kanë votuar dhe 50 vite, por problemi është që shqiptarët kanë luftuar për të zgjedhur dhe duhet që të dyja palët të bëjnë të gjitha përpjekjet që shqiptarët të kenë jo vetëm një mundësi për të votuar, por të kenë mundësi të zgjedhin, sepse demokracia në rradhë të parë është zgjedhje dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, – është shprehur Meta.
Pjesë nga intervista
Lutfi Dervishi: Zoti President, në këtë fundjavë ju keni thënë, që situata aktuale politike duhet të marrë një kthesë 180 gradë. 180 gradë çfarë do të thotë që qeveria të kalojë në opozitë dhe opozita në pushtet, apo…?
Presidenti Meta: Kthesë 180 gradë do të thotë që të dy palët të mos shkojnë deri te buza e humnerës. Nuk mendoj që secila prej tyre do ta shtyjë vendin në humnerë, por kur shkon deri atje mund të të rëshkasë këmba pa dashje.
Jemi në një kurs konfrontimi, apo demonstrimi force. Opozita pretendon që roli i saj në Parlament ka qenë i padobishëm dhe asaj i janë mohuar të gjitha të drejtat…
Lutfi Dervishi: Ju jeni kundër këtij akti të opozitës?
Presidenti Meta: Absolutisht, kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë kundër çdo akti të tillë, përfshirë edhe bojkotin. Jemi në një situatë të tillë kur pala tjetër gjithashtu kishte mundësinë të ndalonte provokimet ndaj opozitës, që nga momenti kur opozita deklaroi se do të dorëzonte mandatet.
Nuk më duket e logjikshme që në një situatë të tillë t’i thuash opozitës apo popullit shqiptar, nuk ka problem se këta nuk i djegin mandatet, së këta kanë hallin e rrogave apo hallin e privilegjeve.