Nga Namir Lapardhaja
Ka një debat të madh sot në radhët e Grupit Parlamentar në duhet apo nuk duhet të kandidojë Lulzim Basha për të marrë drejtimin e PD-së. Nga pjesa që e kundërshton nuk kam dëgjuar të artikolojnë ndonjë argument të qenësishëm përveçse asaj të nevojës për bashkim. Bashkim, por me kë?! Që të ketë bashkim duhet të ketë vullnet të dyanshëm! Që të ketë bashkim duhet të ketë reflektim të dyanshëm! Që të ketë bashkim duhet të ketë tërheqje pas të dyanshme!
Prej një vit e gjysmë, nga ana e vet, Basha e ofroi një gjë të tillë. Cila ishte përgjigjja?! A pati reflektim?! A kishte deputetë (apo ka edhe sot pas humbjes së 14 majit, ku situata është e qartë si drita e diellit) që t’ia thoshin në sy dhe t’ia kërkonin hapur zotit Berisha një gjë të tillë?!
Pyetja është retorike, sepse përgjigjja është e qartë. As kishte, as ka, as do të ketë! Sepse askush në radhët e tyre nuk përfaqëson një alternativë apo qasje vetjake politike, që të bëjë dallimin, të rezonojë dhe të krijojë një rrugë, përtej Berishës dhe Bashës. Dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e asaj partie.
Por le t’i kthehemi çështjes së deputetëve të PD-së, të cilët kërkojnë me çdo çmim moslejimin e ish-shefit të tyre për t’u kthyer në krye të partisë. Që të merremi vesh, është e drejtë e çdokujt të ketë një mendim ndryshe, të mos jetë dakort me rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike apo të ketë rezerva për kandidaturën e Bashës. Një prej atyre që ka dyshimet e veta është edhe autori i këtyre radhëve. Por nuk mund të fshihemi si struci dhe, në vend të hënës, të tregojmë gishtin.
Sepse janë pikërisht këta deputetë dhe të tjerë brenda Grupit Parlamentar të PD-së investitorët dhe kontribuesit më të mëdhenj të rikthimit të Lulzim Bashës.
Me veprimet apo mosveprimet e tyre përgjatë një viti e gjysmë ata praktikisht ia kanë lënë dhe po vijojnë t’ia lënë rrugën e lirë Lulzim Bashës.
Janë këta deputetë, që, përkundrejt vëshitrësive të mëdha dhe sulmeve të paprecedent nga ana e “Foltores” dhe zotit Berisha, që për një kohë të gjatë nuk kanë treguar asnjë lidership, nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë, nuk kanë paraqitur asnjë platformë, ide politike, mendim apo nevojë për diskutim, se si mund të ringrihet PD-ja përtej Bashës. Edhe ideja apo ftesa e tyre e hapur për të pasur kandidatë të përbashkët me “Foltoren” në zgjedhjet e 14 majit, u hodhë në koshin e plehrave, duke iu treguar forca e votës dhe dhëmbët e arrogancës.
Jo vetëm kaq, por, pas kësaj, një pjesë e tyre nuk patën as guximin që të mbështesnin kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit, duke u rreshtuar në anën e kandidatëve të Berishës dhe Metës, nën logon e këtij të fundit, meqenëse “partia” e zotit Berisha i ngjan një ngrehine pa çati. Bënë mirë apo bënë keq, është çështja e tyre, por ky është fakt dhe sigurisht edhe përgjegjësi.
Bashën nuk po e kthejnë mbështetësit e tij, por paaftësia e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (e të gjithëve, përfshi edhe dështimin e paralajmëruar të zotit Berisha), të cilët, në vend që të luftonin, vegjetuan; në vend që të ndërtonin alternativë, zgjodhën të fshihen; në vend që të bëheshin bashkë për një platformë të qartë se si mund të ngrihej PD-ja, zgjodhën rrugën më të lehtë, atë të bërjes një sy qorr dhe një vesh shurdhë, duke e pasur një vesh gjatë ditës tek Ambasada Amerikane dhe një sy gjatë natës tek oborri i ofertave mikluese të zotit Berisha.
Ndaj Basha nuk mund të ndalohet të kandidojë. Me të duhet përballur. Idetë e tij duhen diskutuar dhe duhen hedhur poshtë. Oferta e tij duhet tejkaluar me një ofertë tjetër edhe më të mirë, edhe më të besueshme, dhe qasja e tij për të mosbashkëpunuar me “Non Gratën” ose duhet mbështetur dhe thelluar ose të kundërshtohet dhe të thuhet se ne e duam drejtimin e PD-së për të bashkëpunuar me zotin Berisha, pavarësisht dizenjimit të tij nga SHBA-të.
Mos u merrni me diskutimet se si të bllokoni kandidimin e Lulzim Bashës, por përballuni me të. Pse jo, edhe fitoni!