Nga Fatjona Mejdini
Një mike e dashur dhe kolege gazetare në ditën kur po transmetonte live një protest opozitare u gjend përpara një incidenti njerëzor. Fundshpina e saj u ekspozua pak më shumë se normalisht, teksa ishte duke u përkulur për t’i drejtuar mikrofonin një përfaqësuesi të opozitës, nën trysninë e kërkesave që vinin nga redaksia, lajmit që po ndodhte dhe turmës së militantëve përmes të cileve duhet të kalonte.
Incidenti njerëzor u fotografua dhe u shpërnda ne rrjetet sociale, ku turmat anonime mund të bënin me të gallatën e radhës, për të vrarë disa sekonda të jetës parazitare në kërkimin e scoop-it të radhës. Por ajo që më shokoi ishte shpërndarja e fotografisë në ato portale online që qytetarët e këtij vendi i quajnë media.
Fakti se një shpinë aksidentalisht e zbuluar e një femre u gjend pranë drejtuesve opozitare, ishte shtysë e pandalshme për ta publikuar këtë fotografi në portal. Qëllimi sigurisht ishte ‘madhor’, kjo fotografi do të godiste moralin e opozitarëve dhe kauzës së tyre dhe çdokush tjetër që gjendej aksidentalisht në të duhet të injorohej pa mëshire.
Duke parë këtë absurditet dhe e mbushur me revoltë u mundova të identifikoja mediat ku fotografia ishte shfaqur për t’ju kërkuar ta hiqnin, pasi në gjykimin tim nuk përbënte asnjë lajm por ishte një qëndrim dashakeqas ndaj një kolege në detyrë.
Përgjigjet që mora ishin nga më te ndryshmet. Dikush madje pranoi ta hiqte fotografinë por me kushtin që unë duhet të pranoja se incidenti kishte provokuar estetikën e publikut dhe se ai duhej denoncuar doemos.
Në një moment pata ndjesinë se isha duke diskutuar jo me njerëz të cilët publiku i konsideron përfaqësues të medias, por me terroristë, të cilët tashmë kishin në dorë gjahun e tyre të përvetësuar në mënyrë të pamoralshme dhe po përpiqeshin ta shisnin sa më shtrenjtë.
Në fakt ka një politikë mjaft të njohur në diplomacinë botërore, ku negocimi me terroristë është i papranueshëm. Kjo për shkak se në vend të zgjidhjes së fenomenit krijohet një treg, që rrit aksionet e një grupi të pamoralshëm, me të cilin duhet luftuar dhe jo negociuar.
Në rastin konkret kuptova se negocimi me ata që pa frikë mund të quhen terrorisët mediatik, zhvillon të njëjtin fenomen. Papritur disa njerëz pa etikë e gjejnë veten t’ju kërkohet një favor kur në fakt fenomeni duhet dënuar me forcë.
Një zgjidhje më e mirë është që këta zotërinj e zonja portalesh të denoncohen fillimisht me zë të lartë dhe produket që ata kërkojnë të shesin të raportohen si shkelje dhe qytetarët të ftohen t’i bojkotojnë.
Kjo duhet të ndodhë jo vetëm kur personazhi në kurth është koleg i yni, por edhe kur ai është një fëmijë, grua, burrë apo dikush i moshuar. Negociata në këto raste nuk vlejnë sepse terrorizmi është një farë e keqe që përhapet në çdo fushë, me shpejtësi.