Konsumi i antibiotikëve në vend gjatë valëve kulmore të pandemisë u rri ndjeshëm, pasi të infektuarit nxitonin t’i merrnin që me shenjat e para të infektimit me Covid-19.
Por, një studim i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, me autorë Rexhep Muja, laborante Alma Qosja, Frida Bushati dhe Ermal Selimi i publikuar nga Urdhri i Mjekut, tregon se nga 1500 analiza serologjike të bëra në vendin tonë gjatë dimrit të kaluar, rezultoi se vetëm
54% e tyre kanë zhvilluar antitrupa (IGG). Krijimi i antitrupave ka nisur që nga dita e 14 ose në ditët e 21-28 pas infektimit. Siç shihet nga të dhënat shqiptare, imuniteti natyror është zhvilluar vetëm në gjysmën e të infektuarve.
Ekspertët e argumentuan përqindjen e ulët me antitrupa si rrjedhojë e përdorimit më të madh të antibiotikëve, antiviralëve dhe kortizonikëve, të cilët ndikojnë negativisht në zhvillimin e antitrupave.
Studimi tregoi se kontingjenti me PCR pozitiv dhe imunitet gati mospërfillës, përfaqësohet kryesisht nga të sëmurët kronikë si, diabetikë insulinovartës, diabetikë jo insulinovartës, kardiopat, hipertonikët, obezët dhe ata faktorë rreziku kardiometabolikë të kombinuar.
Ecuria e pandemisë varet nga imuniteti që do të krijojë popullata nëpërmjet infektimit apo vaksinës. Por imuniteti natyror tregon zhvillim të dobët në vendin tonë, ndërsa vaksina duket se nuk krijon imunitet afatgjatë, sipas të dhënave që vijnë nga Izraeli, i cili ishte shteti me përqindjen më të madhe të vaksinimit në këtë fillimvit.
Zyrtarët në Izrael së fundmi se vaksina e zhvilluar me teknologjinë MRNA mund të mos jetë plotësisht efektive kundër variantit të ri.
Izraeli ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit në botë me 78% të atyre të moshës 12 vjeç e lart, sipas Science Magazine. Pavarësisht kësaj, vendi ka vuajtur një nga nivelet më të larta të infeksionit në botë, me 650 infeksione për 1 milion banorë. “Më shumë se gjysma janë në njerëz plotësisht të vaksinuar, duke nënvizuar transmetueshmërinë e jashtëzakonshme të variantit Delta dhe duke nxitur shqetësimet se përfitimet e vaksinimit zbehen me kalimin e kohës”, sipas “Science Magazine”.
Izraeli shpesh është konsideruar një model për Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për vaksinën e COVID-19 dhe efikasitetin e vaksinës kundër koronavirusit.
Kohët e fundit, zyrtarët shëndetësorë amerikanë po marrin në konsideratë edhe Izraelin kur bëhet fjalë për dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.
Vendi “po ofron një dozë përforcuese të koronavirusit për njerëzit mbi 60 vjeç, që tashmë janë vaksinuar më shumë se pesë muaj më parë” sipas “The Associated Press”.
Të dhënat e reja po tregojnë se imuniteti natyror nga koronavirusi dhe ai nga vaksina nuk rezistojnë për shumë kohë, ndaj pandemia Covid-19 do të jetë e pranishme edhe këtë dimër. Ecuria e deritanishme po tregon se edhe në vjeshtë-dimër 2021-2022, pandemia do të jetë e pranishme./Monitor
(E.H/Faxweb.al)