Nga Armand Maho
Postimi në mbështetje të Tomorr Alizotit, ishte një përsiatje e ndikuar deri diku nga kafja me mikun tim dhe vapa që s’të le të vësh gjumë në sy. Një bindje, që as ma merrte mendja se shkaktonte një zullumnajë që do më hante tërë ditën me mesazhe. Kategoria më e madhe ishte atyre që mendonin njësoj si unë.
Njerëz që s’kanë marrë asgjë nga ajo parti, ose kanë marrë shumë pak. Shumica anëtarë të partisë me të drejtë vote, (vetë s’kam qenë kurrë, megjithëse në vitin 1997 kam qenë komisioner në zgjedhje tek një qendër votimi tek Juridiku (ku bandat na mbajtën të rrethuar me armë deri në mëngjes).
Duhet ta themi që në krye të herës. 60% apo më shumë e asaj antarësie janë njerëz që kanë 27 vjet aty. Që kur luftën e bënin kundër diktaturës, të tjerë në një masë 20% janë ata që u regjistruan në krah të Berishës në ditët më të këqija të tij në vitet 97-98. Pjesa që mbetet, një pakicë 15-20% janë ose të afruar për shkak të interesave (modeli Rama që u regjistrua anëtar partie në vitin 2005) ose të rinj që s’e kanë idenë se çfarë ka ndodhur, s’e dinë çfarë historie kanë ato simbole por janë me porosi të babit dhe s’ua ndjen shumë çfarë bëhet!
Pjesa e atyre që kanë përballuar vitet 1990-1997 ishin mjaft entuziaste, por edhe mosbesues se atë shtrese nuk do e zgjidhte kurrë njeri në krye të partisë sepse ashtu janë konjukturat, por që ishin të gatshëm ta mbështesnin. Kjo ishte pjesa më e madhe. Pjesa tjetër ishte ajo e mbështetësve të Bashës. Ajo pjesë njerëzish që vazhdojnë të besojnë akoma tek ai, larg interesave, por me idenë se s’ka kush e zëvendëson në këto kohë të vështira… këta ishin në mëdyshje nëse Tomorri do ishte në gjendje ta drejtonte partinë por nuk thanë asnjë fjalë kundër tij.
Por më interesante ishte kategoria e kundërshtareve të Bashës në PD. Këta m’u dukën dhe më fodullët. Me sa pashë më shumë se inatet, dhe lënia jashtë listave ata kishin hallin të merrnin kontrollin e partisë. Njërit prej tyre ( dhe nuk ishin pak) ja thashë qartë se kushdo prej atyre figurave të vihej në garë nuk kishte shans të fitonte.
Debati duhet të jetë parimor! Unë mund të kem histori personale prej më shumë se 80% e tyre, por këtu s’kanë lidhje interesat personale. Të ishte ashtu të vetmin nder në atë parti ma ka bërë Lul Basha në vitin 2006, dhe këtë s’e kam turp ta them, dhe sot duhet të bëhesha pjesë e atyre që e mbrojnë me zjarr. Por elektorati dhe antarësia e ka njohur bash mirë dhe e ka provuar në kurriz arrogancën e tyre gjatë pushtetit. Nga fodullëku i zonjës Topalli, manovrat dhe flirtimi me pushtetin të zonjës Bregu, lojrat e Ben Imamit, emërimet e Patozit, skuthllëqet e Bodes e kështu me radhë. Për këta Basha e ka çarkun ngrehur, as dëgjon nga ai vesh dhe mund t’i përtypë fare kollaj sapo të fillojë gara!
Tomorr Alizoti ishte vetëm një ide si model se si duhet të jetë lideri që duhet ta drejtojë atë parti. Aty ka dhe “Tomorrë” të tjerë si ai që duhet t’i nxjerrë gara e ndershme, e hapur dhe gjithëpërfshirëse. Tomorri është modeli i barazlargimit nga tryezat dhe kulisat.
Por i pari vrapoi Eduard Selami (e habitshme ky nuk kishte asnjë përkrahës). Pra duhet një njeri që të bashkojë demokratët që janë goditur fort në shpirt që ishe i mrekullueshëm. Duhet dikush që të shohë lotët e mikes time Bruna, dihatjen e mërzitur të Visit, apo heshtjen tërë pezm të atyre që s’jam i autorizuar t’i përmend, që s’dinë më se ç’bëjnë në atë parti.
Të gjithë aty kanë një histori, të cilën Lulzim Basha nuk diti ta shohë, nuk diti ta prekë dhe ky është mëkati më i madh i tij. Dëshira për të dalë me çdo kusht në majë, për të treguar që nuk komandohet nga Doktori, bëri që t’i shohë demokratët e vërtetë si njerëz të dorës së dytë, një gabim që Doktori s’e bënte kurrë. Ai e dinte fort mirë se të gjithë ata kanë një të përbashkët, luten për atë parti, për ato simbole dhe janë antikomunistë. Ka njeri që mund ta shërojë shpirtin e lënduar të tyre, kjo është ideja. Epo këtë s’mund ta bëjë as Jozefina, as Ben Imami dhe me gjithë respektin as Patozi.
Fatkeqësi që Bashës ju dha një mundësi kaq e madhe dhe s’diti ta vlerësojë. Prandaj unë do përkrah Tomorrin apo çdo “Tomorr” që do dijë ta prekë dhe vlerësojë shpirtin e tyre.