Marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës duket se u ‘djeg’ akoma demokratëve të thjeshtë, dhe shumë nga ata fajësojnë Bashën, edhe pse kreu i PD-së e ka thënë disa herë që ishte si pasojë e preionit të madh të ndërkombëtarëve.
Duke iu referuar kësaj marrëveshjeje disa qytetarë, nëpërmjet telefonatave i kujtuan deputetit të PD-së Klevis Balliu, i cili ishte i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes nga Xhaxhiu” në Fax News se Basha i zhgënjeu demokaratët pasi hyri në marrëveshje me Ramën.
Balliu argumentoi se ajo marrëveshje ishte si pasojë e presionit amerikan, dhe këshilla e tyre duhej dëgjuar pasi janë aleati kryesor i Shqipërisë.
Ndërsa një tjetër qytetar i cili deklaroi se ishte demokrat në bindje dhe gjithnjë kishte votuar PD-në, i tha deputetit demokrat se Rama po tallet me Bashën dhe se ky i fundit nuk kishte fuqi për të larguar Ramën.
“A e kuptoni se ai po tallet me Bashën, më vjen keq unë jam demokrat…”, tha qytetari.
Por Klevis Balliu I kujtoi se pikërisht për shkak të asaj fuqie të Bashës, u larguan trafikantët nga Kuvendi.
Balliu u shpreh gjithashtu se problemi kryesor në vend është Rama dhe jo opozita, ndaj vëmendja duhet të fokusohet më shumë atje, ndërsa ftoi qytetarët t’i bëjnë një pyetje vetes nëse ata ishin më mirë sot se 5 vite më parë kur iku nga pushtetit.
“Lulzim Basha pati aq fuqi sa largoi trafikantët nga Parlamenti, dhe i largoi kur mori PD-në, sapo mori partinë që kishte humbur zgjedhjet. Një mesazh kam për qytetarët shqiptarë a janë sot më mirë se 5 vjet më parë? Kur protestohet, bëhet për t’i treguar qeverisë se ti nuk mund të tallesh me ne”, tha ai.
Në lidhje me diskutimet për djegien e mandateve, ai deklaroi se e kishte propozuar diçka të tillë për shkak se është një kërkesë që vjen nga poshtë, baza kërkon diçka të tillë.
Referuar protestës të ditës së shtunë, deputeti demokrat deklaroi se qytetarët protestues edhe mund të kishin hyrë brenda institucioneve por nuk e bënë pasi PD është një parti europiane. Por situatën e krijuar ai e përshkroi të zymtë për sa i përket mundësisë për të gjetur një zgjidhje. Sipas tij e vetmja rrugë për opozitën ka mbetur revolta, duke paralajmëruar qeverinë se po u vazhdua në këtë mënyrë qytetarët do të revoltohen aq shumë sa vrullin e tyre nuk do të mund ta ndalë as opozita vetë, siç bëri në protestën e fundit, ku u tërhoqën pas ndërhyrjes së kryetarit Basha.
“Zgjidhje brenda sistemit politik nuk mund të ketë, sistemi ka rënë. Në momentin që qytetarët të vendosin se kështu nuk vazhdohet më, edhe opoziota nuk mund ti përmbajë”, tha Balliu.
(B.H/Faxweb)