Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në studion e Fax News ku ka komentuar mbi mundësinë e votimit të Reformës zgjedhore nga opozita e re. Kume tha se Reforma Zgjedhore pavarësisht numrave që janë në Kuvend, kërkon një miratim me konsensus të gjerë.
“Unë nuk prisja asnjë lloj reagimi tjetër nga ambasadori, sa kohë që Reforma Zgjedhore është një nevojë e ngutshme për vendin. Nuk ka pse të kërkohet që të dyja palët të arrijnë patjetër një marrëveshje, po duhet një përafrim, po duhet që të punohet për këtë.
U duk se këtë radhe do të kishte një punë më të mirë, pasi komiosioni parlamentar për Reformën Zgjedhore e ka nisur punën që prej një viti e gjysmë më parë. Me fillimin e punës në Shtator 2018 u pa se situata nuk kishte ndryshuar, dhe tashmë gjithçka është lënë në mes”, u shpreh Kume.
I pyetur nga ana e gazetares Armela Ferko nëse është legjitim votimi nga Kuvendi me opozitën e re, Kume tha se nëse votohet Reforma nuk do të pranohet nga ana e PD-së dhe LSI-së dhe kjo do të sillte një tjetër krizë.
‘’Parlamenti formalisht i ka numrat për të marrë vendimin për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, pra 84 vota, po koha për ti impementuar këto Reforma nuk është e mjaftueshme.
Çështjet që trajtohen në materialin që ka në Kuvend, janë problemet me barazinë zgjedhore, parimet që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve, problem që kanë të bëjnë me financimin.
Në qoftë se arrihet dhe miratohet kështu siç është paraqitur ky dokument, ka nevoja të shumta për ndërhyrje. Ashtu siç janë shkruar dispozitat, kanë nevojë urgjente për tu rishkruajtur. Nuk duhet të ishte dërguar në Kuvend ashtu siç janë të shkruara, pasi na fusin në një hulli të rrezikshme.
E rëndësishme është që palët të bienë dakord, edhe pse opozita është jashtë Kuvendit mund të gjenden instrumentat për marrëveshje”, u shpreh Kume.
Kume deklaroi më tej se presidenti Meta duhet që të marrë roline negociatorin në mënyrë që të ulë palët në tryezë, që të mund të gjejnë një zgjidhje për të evituar krizën politike që ka paralizuar jetën politike të vendit.
(E.K/FAXWEB.AL)