Me kujdes të madh, mediet afër qeverisë po tentojnë të mbajnë vëmendjen e publikut në çështje që nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet, aq më shumë me probleme apo pikëpyetje rreth manipulimit të tyre. Por faktet po dalin një e nga një.
Mesila Doda, Ben Blushi, Monika Kryemadhi, Preç Zogaj dhe Ylli Manjani kanë denoncuar me të dhëna precize, zë e figurë, rastet e manipulimit të numërimit. Po kështu në parim Lulzim Basha ka informuar ndërkombëtarët, edhe pse publikisht ka qenë i rezervuar për të denoncuar pas marrëvjeshjes me Ramën dhe vendosjes së ”ministrave-gardianë” të zgjedhjeve.
Të gjithë kanë një emër partie, te e cila dyshojnë se ka orientuar numëruesit për të futur votat në pirgun e tyre: Partia Socialiste. Ende nuk është verifikuar nëse këto janë rastet e vetme, por sipas informacioneve të fundit, partitë e prekura janë jo vetëm duke i ndjekur penalisht këto raste por edhe duke verifikuar video të tjera ku dyshojnë, numërimet e të cilave fatmirësisht janë të regjistruara.
PDIU-ja humbi mandatin me vetëm 38 vota në Tiranë, e shumë kandidatë të tjerë, hipotetikisht mund të jenë dëmtuar qoftë edhe nga manipulimi me 5-6-20-100 vota.
FAKTET KOKËFORTA
Denoncimet e para për presion dhe tentativë për grabitje votash janë bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që para se të niste procesi i votimit.
Ditën e sotme kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka mbështetur denoncimin e deputetes së PDIU-së Mesila Dodës, teksa thotë se rastet po ua transmetojnë ndërkombëtarëve. ”Doja të ndaja me ju atë që të gjitha partitë po denoncojnë me fakte konkrete, blerjen dhe deformimin e votës së 25 qershorit. Farsën elektorale të drejtuar nga Edi Rama dhe zbatuar nga rilindasit e tij, arrogancën dhe pafytyrësinë e tyre për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Unë jam e bindur që kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që ka ndodhur vërtet në 25 qershor, sikunder jam e sigurt se beteja jonë për të rikthyer legjitimitetin e votës së shqiptarëve sapo ka nisur. LSI tashmë është e qartë dhe e vendosur, e fortë dhe e bindur në luftën e saj për të rikthyer të drejtën themeltare të demokracisë, votën e lirë. Ndaj për këtë do të jemi çdo ditë pranë qytetarëve, do të dëgjojmë dhe mbledhim çdo dëshmi manipulimi, do të hartojmë dhe ndërtojmë politikat tona për të dëshmuar këtë farsë elektorale, për të vërtetuar edhe njëherë para të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që duan të dëgjojnë të vërtetën, se 25 qershori ishte dita e deformimit të votës.”, denoncon Kryemadhi.
Mesila Doda qe e para që bëri denoncimin me video, teksa numëruesi i pretenduar i PS-së grabit votat e PDIU-së. Pas videos së parë Doda publikoi një video të dytë. ”Shumë e rëndësishme… akti i parë i zbulimit të të vërtetës… Kjo video që po hedhim sot është vetëm akti i parë i një filmi që titullohet: “Si shkatërrohen zgjedhjet në Shqiperi…” Vini re me kujdes se si në sekondat e fundit, merren votat nga dengu i PDIU dhe kalojnë në atë të një forcë tjetër politike… Ky është vetëm akti i parë i një rradhe të gjatë rastesh që tregojnë se ku shkojnë votat e PDIU si në këtë rast… Në videot e tjera, do ju ofrojmë vepra të tjera nga numërimi “korrekt” në mes të Tiranës…”,”, denonconte Doda duke shtuar: ”Siç e premtuam… akti i dytë i numërimit “korrekt” në mes të Tiranës. Vota e PDIU ikën në drejtim të paditur… Është vetëm një prej shumë akteve që do ndiqni ditët në vazhdim… S’keni parë gjë akoma…
I fortë qe denoncimi i Ylli Manjanit ditën e djeshme, kur tha se numëruesi të cilin denonconte Mesila Doda punon në hipotekë. ”Kjo është dora hajdute e një numëruesi Rilindas. Punon në Hipotekë dhe hyri t’i japë “një dorë” partisë në zgjedhje! I duhej kjo dorë, rilindjes për të marrë në një dorë çdo gjë! Një dorë nga ata të Hipotekës që Kryeministri i quajti “tepsi”… Ja ku e ka tepsinë!Pamjet e videos janë shkëputur nga rregjistrimi zyrtar i kamerave të KQZ. Duket qartë se si nga tufa e votave të PDIU, që janë në anën e majtë të numëruesit, hiqet fleta e votimit dhe i bashkohet tufës së votave të PS, që gjenden në anën e djathtë të tij! Flagrante! Ka ndodhur në disa raste kështu.”, theksonte Manjani.
Ben Blushi, kreu i LIBRA-s po si Mesila Doda ka bërë dje një denoncim publik me video për grabitjen e votave. Njëri nga numëruesit sipas Blushit quhet Ergys Hila dhe punon shef Finance në Ministrinë e Mbrojtjes.
”Ergys Hila shef finance në Ministrinë e Mbrojtjes është njëri nga katër numëruesit që ka vjedhur votat në kutitë 1939 dhe 1944/2 në Tiranë. Natyrisht i ka hipur kalit të Rilindjes dhe atë që bën me votat bën dhe me paratë e shtetit.Tre të tjeret janë Mirand Seferi i PD dhe Florian Shkreta e Elona Filolli. Këta të katër siç provohet nga pamjet filmike te KQZ i kanë vjedhur vetëm LIBRA 18 vota ne dy kuti. Do i padis bashkarisht”, denonconte Blushi.
Më tej kreu i LIBRA-s specifikonte se nga numërimi i votave në pamjet filmike të marra zyrtarisht nga KQZ rezulton se vetëm në dy kuti në njësinë 8 në qytetin e Tiranës, LIBRA ka patur 9 vota tek seicila prej tyre, të cilat janë bërë zero ne fund të numërimit.
”Ka qindra raste si këto të cilat do t’ja çoj KQZ dhe natyrisht Gjykatës. Do padis personalisht çdo komisioner që ka vjedhur votat duke ia dhënë sipas marrëveshjes Rilindjes dhe Republikës së Re. A e imagjinoni dot si mund të zhduken 18 vota në vetem dy kuti në Tiranë? Po në gjithë Shqipërinë? Duke zbardhur kutitë natyrisht zbardhet dhe marrveshja. Numrat e kutive apo QV respektivisht janë 19 39 ZAZ 38 dhe 19 44/2 ZAZ 38.”, shkruante Blushi.
Preç Zogaj kandidat i PD-së në Lezhë deklaroi dje te ”Debati në Channel One” të Roland Qafokut se PS i ka vjedhur Partisë Demokratike 17 mandate. “Komisionerë të PD janë bërë pjesë e shitblerjes së votave. Një kambist në Lezhë shkëmbeu 800 mijë eruo për pak ditë por ulja e kursit të euros në shkallë vendi nga 140 në 132 lekë është prova më e fortë se në këto zgjedhje janë hedhur miliona Euro nga partia në pushtet për t’i blerë këto zgjedhje”, akuzoi Zogaj.
74 mandate për Edi Ramën qenë thuajse të pabesueshme, sidomos pas 4 vitesh qeverisje por a do arrijë Rama ta ruajë këtë numër deri në shtator?!/Valmora Gogo-SHUPLAKA