Dorian Protoduari, i arrestuar për akuzat si organizator i protestës, kundërshtim të forcave të rendit etj., ka folur në një lidhje telefonike nga institucioni i paraburgimit të Fushë Krujës.
Ai u shpreh se ka besim tek gjykata e jo te prokuroria, pasi sipas tij, kjo e fundit është e kapur.
“Kam besim te Gjykata e jo te Prokuroria pasi kjo është e kapur.
Unë akuzohem si organizator i protestës kur protesta vijon dhe unë jam në burg, më akuzojnë për kundërshtim të forcave të policisë ndërsa gjithçka është parë në televizion kur jam arrestuar. S’ka pas asnjë kundërshtim”, – tha Protoduari, ndërsa shtoi se nëse vërtetohet se ai ka bërë shkeljet për të cilat akuzohet, është gati ta paguajë 3-fish dënimin.
Më tej i pyetur nëse është ai pjesë e strukturave të Partisë Demokratike apo jo, u shpreh:
“Doriani nuk është pjesë e strukturave të asnjë partie politike”.
Në vijim Protoduari u shpreh se nuk ka asnjë provë kundër tij dhe akuzat janë të pabaza, ndërsa shtoi “Fakti që unë flas në megafon dhe jam kundra qeverisë, është e vetmja ‘provë’ që ato kanë.”
Në përfundim të prononcimit të tij, ai u bëri thirrje të gjithë banorëve të vijojnë me qëndresën, si dhe i bëri thirrje Prokurorisë të nisë hetimet ndaj Afrim Qendros dhe ministrit Damian Gjiknuri.
“U bëj thirrje të gjithëve që të vazhdojnë me këmbënguljen e tyre kundër qeverisë, të bashkuar asnjë nuk mund ta ndalojë. I bëj thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për Damjan Gjiknurin dhe Afrim Qendros. pasi janë ata shkaktar që unë jam këtu. Zoti qoftë me ta, Zoti qoftë me ne! Zoti e bekoftë Shqipërinë se qeveri nuk kemi”, tha Protoduari.
(B.B/ Faxweb.al)