Policia e Shtetit është duke ndërmarrë një aksion për ndalimin e dhjetra personave me urdhër të SPAK.
Burime bëjnë me dije se Policia ka nisur kontrollet në disa qytete të vendit, për ekzekutimin e urdhër arresteve, ndërkohë që dy persona bëhet me dije janë ndaluar në lagjen 5 Maji në Tiranë.
Deri tani ka pak detaje në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër arreste.
Paraprakisht dyshohet se urdhër arrestet janë lëshuar pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ka treguar bashkëpunëtorët dhe urdhëruesit e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura kryesisht në qytetin e Elbasanit.
Dumani u arrestua pak javë më parë në qytetin e Fierit, në një aksion të policisë së shtetit, pasi i shpëtoi një përplasje me armë në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan.
Ai dyshohet se u përball me armë me Talo Çelën, një prej 5 personave më të kërkuar aktualisht në vendin tonë, pjesë e grabitjes së Rinas, dhe i dyshuar për disa vrasje që pasuan në vitet e fundit.
As SPAK dhe as Policia nuk kanë dhënë njoftim për aksionin që është ende në vijim.
(E.K/Faxweb.al)