Zëvëndës Minstrija e Shëndetësisë Mira Rakacolli në një deklaratë për mediat foli në lidhje vdekjen e pacietes së 73 vjeçares në Durrës nga koronavirusi.
“Pacientja vuante nga isuficensa kardiake e rëndë, kishte prej shumë vitesh çrregullime të ritmit të zemrës, kishte sëmundje kronike të mushkërive, kishte sipertireozë dhe kishte kryer edhe by-pass kardiak.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale nga ana e mjekëve, pacientja nuk mundi të mbijetojë. Deri në mëngjesit e sotëm ajo është trajtuar në mënyrë të izoluar. Sot paradite është kërkuar transferimi i saj në QSUT. Në çastet që po merreshin masat për transportin e saj, gjendja është rënduar dhe pacientja nuk ka mundur të mbijetojë”, tha zv.ministrja.
Rakacolli përsëriti sërish thirrjen për qytetarët, që të bashkëpunojnë, nëse kanë pasur histori udhëtimi apo nëse kanë shenja të koronavirusit, pasi është një element shumë i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm.
“Ky virus, ashtu si gripi, prek moshat e mëdha dhe sidomos ato që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike.
Ju bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve të bashkëpunojnë me stafet mjekësore. Kushdo që ka histori udhëtimi duhet të vetëkarantinohet, kush ka shenja duhet të njoftojë në numrin 127. Kemi nevojë për bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve.
Në karantinë rrinë qytetarët e shëndoshë, por që dyshohet se mund të jenë prekur. Karantinë kemi në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë. Në karantinë mbahen persona që psh kanë ardhur nga jashtë dhe dyshohet se kanë pasur kontakte me persona të prekur. Vetëkarantimin do të thotë që ti rri në shtëpi”, deklaroi rakacolli.
E pyetur në lidhje me zonjën e shtruar në spitalin e Durrësit nëse ka pasur personatë tjerë në dhomë Rakacolli deklaroi se nuk ka pasur persona të tjerë në dhomë.
“Mjekët që i kanë asistuar të sëmurës që në momentin që është dhënë diagnoza e koronavirusiit kanë qenë të gjithë të veshur me mjetet e mbrojtjes personale. Mundësia e infektimit të tyre është pothuajse zero.
Mjekët që kanë pasur kontakte më parë, u është marrë analiza, pritet përgjigjja, dhe deri në këtë moment janë të vetëkarantinuar.
Është bërë hetim epidemiologjik i detajuar, jo vetëm nga të Durrësit edhe nga ata të ISHP, për fat të mirë pacientja ka qenë në dhomë vetëm. Të gjithë personat sipas skedës së hetimit epidemiologjik janë të gjithë dukë u kontaktuar. Dhe ky është një proces, nuk bëhet në moment”, tha zv.ministrja në konferencën për mediat.