Dramën më të madhe që mund t’i ndodhte shqiptarëve! Kështu e ka konsideruar ish-kryeministri Sali Berisha një bashkëqeverisje të përfolur mes PD-së dhe PS-së në muajin shtator. Berisha tha se opozita që është shpresa e vetme për regjimin, nuk mund të shndërrohet në levën e narkoshtetit.
“Kategorikisht kundër, do të ishte drama më e madhe e shqiptarëve, që opozita e cila është shpresë për përmbysjen e narkoshteit, të shndërrohej në levë të narkoshtetit. Bashkëpunimi që tha zonja Kim, nuk mu duk se i referohej një bashkëqeverisje”, u shpreh Berisha gjatë komunikimit të tij me gazetarët.
Sali Berisha është i qartë dhe i prerë, kur thotë se askush nuk mund ta pengojë që të jetë pjesë e Kuvendit, qoftë ku dhe pasardhësi i tij në krye të PD-së Lulzim Basha.
I pyetur nga gazetarët për kostot që PD mund të marrë në rast se ai nuk largohet nga Kuvendi, Berisha tha se kushdo duhet të kërkojë prova dhe të synojë që të shkohet te e vërteta.
Berisha: Zotit Basha i kërkoj që të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Ligji i dekriminalizmit është një nga meritat më të mëdha të opozitës, unë kam qenë dhe jam një nga mbështetësit më të mëdhenj të ligjit për Vetingun e politikanëve, është Edi Rama ai që nuk do që ta votojë.
Unë mendoj se beteja për të vërtetën e fakton njeriun individin dhe forcën politike. Do të ishte fatale për një inidvid që ti lejojë vetes të thojë që nuk i intereson e vërteta. PD është themeluar në dy parime kryesore, interesi kombëtar dhe liritë dhe të drejtat njerëzore.
A do të largohesh nga grupi parlamentar i PD-së?
Nuk kam punë unë me grup tjetër parlamentar përveç atij të PD.
Çfarë vendimi do të merrni në rast se SHBA sjell prova?
Berisha: Nëse publikohet dhe një provë e vetme, unë jam i gatshëm që të marr çdolloj vendimi.
A iu ka kërkuar Basha që të jepni dorëheqjen?
Berisha: Unë kam komunikuar me zotin Basha, dhe sigurisht që ai më ka njoftuar rreth bisedës që bëhej për mua. Më ka njoftuar që i ka kërkuar ambasadores prova dhe fakte.
Çfarë do të bënit nëse Basha nuk iu çon në Kuvend në Shtator?
Asnjë person nuk mund të bllokojë hyrjen në Kuvend të deputetit që është votuar nga qytetarët shqiptarë. Nuk është në dorën e zotit Basha që unë të jem apo jo në Kuvend.
(E.K/Faxweb.al)