Gjykata e Tiranës la në paraburgim 64- vjeçarin Hasan Martani, i dyshuar për ngacmim seksual të një prej nxënëseve të tij në shkollën 9- vjeçare “Mustafa Lleshi”, në Kashar.
Mësuesi pas denoncimit të një prej nxënëseve të klasës së shtatë, do të hetohet në “arrest në burg”.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, i dyshuari ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë.
Sipas prokurorit, ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se i dyshuari mund të ketë kryer veprën penale. Një nga këto prova kanë qenë edhe komunikimet elektronike, mesazhe të shkëmbyera në “Facebook”.
E mitura në deklarimet e dhëna ka rrëfyer se në lidhje me ngacmimet nga ana e 64-vjeçarit nuk ka pasur dijeni askush tjetër përveç nënës së saj.
I dyshuari është çuar i revoltuar nga karrigia ku ishte ulur, teksa ka dëgjuar aktakuzën e prokurorisë, raporton Panorama.
“A jeni në terezi more?! Ç’janë këto trillime? Janë të gjitha trillime”, mësohet të jetë shprehur ai.
“Nuk kam kryer asnjë vepër penale dhe asnjë paligjshmëri gjatë gjithë jetës sime dhe jo më atë që pretendohet këtu. Nuk kam abuzuar me askënd. Jam arrestuar me pa të drejtë”, mësohet të ketë thënë ai.
Në të njëjtën linjë, avokatët mbrojtës të tij kanë kërkuar lirimin e mësuesit nga paraburgimi, pasi, sipas tyre, fakti penal nuk ekziston. (M.D/Shuplaka)