Presidenti Ilir Meta deklaroi nga Durrësi në një prononcim për gazetarët se e vetmja gjë që e shqetëson është data 17 dhe 18 Tetor kur edhe do të jepet vendimi për nisjen apo jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Këtë deklaratë Meta e bëri duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se, a e shqetëson fakti se ndaj tij është ngritur një Komision Hetimor Parlamentar për gjetjen e shkeljeve të tij dhe për rrjedhojë për të realizuar shkarkimin nga posti i Presidentit.
“Nuk kam asnjë shqetësim për asnjë komision hetimor dhe për asnjë gjykatë apo sistem drejtësie që të gjykojë vendimet e mia. I vetmi shqetësim është data 19 Tetor. Çfarë do t’iu themi shqiptarëve? Do t’ju themi na e kishte fajin Luli dhe Mona?”
Meta tha se nëse Maqedonia e Veriut përparon në procesin e integrimit ndaj nesh, do të ishte një humbje shumë e madhe për aspiratat e qytetarëve shqiptarë, duke shtuar se vendimi i Qershorit u shty për në Tetor nga ndërkombëtarët si një qokë.
“Nëse Maqedonia ecën përpara nesh në Tetor, atëherë ku janë aspiratat e shqiptarëve dhe të rinjve shqiptarë. Për mua ka rëndësi 17 dhe 18 Tetori. Kemi futur miq të fortë që të kalojmë nga Qershori që të na japin përgjigje pozitive në Tetor. Nuk mund të arrijmë integrimin me qoka ndaj ndërkombëtarëve”.
Presidenti ripërsëriti thirrjen për dialog dhe një marrëveshje politike që ti hapet rruga vendit për shkuarjen në zgjedhje të ndershme dhe demokratike në Tetor, por ajo çfarë bëri përshtypje nga deklarata e tij ka të bëj me faktin se Meta dha një opinion lidhur me mundësinë se opozita mund të refuzonte të merrte pjesë edhe në këtë zgjedhje.
“Ata që duan një zgjidhje janë të pritur në Presidencë. Nëse duan ta zgjidhin diku tjetër, ku është një adresë më serioze?! Unë do t’ju jap mbështetjen maksimale. Ju jap mendimet e mia të gjithëve pa imponime ndaj askujt. Në momentin që shkojmë në zgjedhje të ndershme, do ti kërkoj qeverisë për shkak të përgjegjësisë që ka, të sigurojë ndershmërinë dhe mbarëvajtjen. Jam i sigurt që nëse opozita nuk pranon të futet edhe në këto zgjedhje, jam i bindur që do të ketë subjekte dhe forca të reja e levizje që mund të krijohen dhe të kandidojnë”, tha Meta.
(F.GJ/FAXWEB.AL)