Deputetja e LSI-së Silva Caka, ishte e pranishme duke mbështetur banorët e Astirit në protestën e tyre për mbrojtjen e pronave, të calat do të shemben në kuadër të ndërtimit të projektit për Unazën e Re.
Caka foli për arrestimin e 2 banorëve të Astirit, ku u shpreh se arrestimet janë të pabaza dhe me urdhërin e Edi Ramës.
“Mirëmbrëma, të gjithëve siç besoj e dini për aq kohë sa e keni ndjekur këtë protestë në çdo ditë të saj. Protesta tashmë ka hyrë në ditën e 26 të saj dhe nuk kemi ende asnjë reagim nga qeveria për të patur një komunikim midis qeverisë apo edhe bashkisë me qytetarët e Unzës së Re. Marr shkas nga ajo që ka ndodhur sot, me 2 arrestime të reja, të cilat ashtu siç i përmendi edhe kolegu im i Partisë Demokratike, nuk ka ende një arsye për arrestimin e tyre që dëshmojnë edhe njëherë arrogancën e qeverisë dhe mbi të gjitha vdekjen e drejtësisë dhe të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe e kemi thënë me kohë që reforma në drejtësi do të sillte pikërisht këto pasoja sepse jemi shumë të bindur që edhe ato djem, që janë arrestuar dhe kanë marrë masën e sigurisë me burg, si Dori apo edhe si djalit tjetër që i janë thyer gishtat, edhe sot 2 zotërinjtë që janë arrestuar sigurisht do të marrin dënim ashtu sipas urdhrave të Edi Ramës.”- tha Caka.
Më tej ajo i është drejtuar me një pyetje Edi Ramës, ku shprehet se si mund të lihet në mes të katër rrugëve një zonjë shtatzënë.
“Unë kam vetëm një pyetje për Edi Ramën, a lihet kjo nënë shtatzëne në mes të katër rrugëve dhe pa e futur në shtëpi, duke i shembur shtëpinë, a lihet një vajzë e re që pritet të bëhet nënë në mes të katër rrugëve dhe ti i premton që do t’ia prishësh shtëpinë dhe nuk do ti japësh asnjë lloj dëmshpërblim, këtë mund ta bëjë vetëm një njeri që është më i keq se pushtuesit. Fatmirësisht, ne sot jemi në një datë historike, sepse para shumë vitesh ne jemi çliruar nga pushtimi nazist, por mesa duket ai që është më i keq se nazistët është një njeri i cili votohet nga populli dhe që e drejton popullin. Kështu që është emergjencë kombëtare të çlirohemi një orë dhe më përpara nga ky njeri dhe më këtë rast unë do doja shumë që të uroja të gjithë shqiptarëve Gëzuar Festat dhe mbi të gjitha në këtë ditë të shenjtë ti ndërgjegjësojë të gjithë sidomos banorët e Unazës së Re që kanë treguar një shenjë të jashtëzakonshme solidariteti dhe jo vetëm solidariteti por edhe qëndrese dhe duke ju uruar festat ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve është edhe njëherë e nevojshme që të çlirohemi nga pushtuesit. “- u shpreh Caka.
(M.Q/Faxweb)