Studentët kanë vijuar edhe sot në shi e borë protestën e tyre kundër Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Arsimit, ndërsa kërkojnë plotësimin e kërkesave themelore të tyre, ndër të cilat është edhe përmirësimi i kushteve në konvikte.
Ndërkohë nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama vijon debatin me disa prej tyre të cilët e pyesin për plotësimin e kërkesave me mesazhe në “Whatsapp”, por realiteti është ndryshe nga ajo që paraqet ai.
Ndërsa u bë zhurmë për ndërhyrjen në restaurimin e konvikteve në Qytetin Studenti, gjendja paraqitet tejet e rëndë edhe në godinat studentore në rrethe. Ndër to janë edhe ato të Shkodrës, ku banjot pa dyer, dhomat me lagështirë e krevatët e prishur, janë panorama që paraqet realitetin e zymtë.
Studentët e Shkodrës, edhe sot kanë dalë në protestë, ndonëse reshjet intensive të borës kishin zbardhur të gjithë qytetin, dhe kanë kyçur universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Një denoncim ka mbërritur në adresë të redaksisë së “Faxweb.al”, ku tregohet me foto dhe video, gjendja e keqe në të cilën ndodhen godinat e konvikteve në qytetin veriperëndimor të Shqipërisë, ndryshe kryeqendra e veriut. Më poshtë gjendja e jashtme e konvikteve.
Por nëse do të ishte vetëm gjendja e jashtme, “do t’ia bënim hallall”. Akoma më rëndë paraqitet gjendja në ambientet e brendshme të konvikteve, ku lagështira në mure por edhe në dyshekët ku flenë studentët është një ndër problemet më serioze. Banjot pa dyer dhe kushtet çnjerëzore në dhomë, rëndojnë akoma më shumë këtë panoramë.
Ndërkohë studentët sfidojnë kryeministrin Rama, me një pyetje të thjeshtë? A mund të jetojë vetëm një ditë në këto konvikte?
Ja çfarë shkruan një student për “Faxweb.al”:
“prsh doja qe ne protest te theksohen kushtet ktu ne konviktin e shkodres sepse siqerisht po vuajm nk kemi kaldaja per tu ngroh, kur lahemi banjof dhe koridoret te duken si frigorifer aq ftohte kemi. Ne qe jemi ne konvikte paguajm 400 mij lek te vjetra jemi 4 persona ne nje dhom aty hajm buk, flem ,mesojm .Ti z. Kryeminister ke syt tek zari i Berishes dhe Moniken qe do te hyje ne librin gines per gjuatje kepuce. Po mjaft u talle me ne studentat hallegjinj .Epo vet ti Z. Kryeminister a mund te vini te jetoni nje dit ne keto kushte, se per muaj e vite sic jetojme ne as qe behet fjale ta provoni? anonim ju lutem”.
Më tragjike bëhet situata, kur studentët e kontaktuar shprehen të frikësuar për të denoncuar situatën brenda konvikteve, pasi drejtuesit mund të hynë e t’i gjejnë se kush e ka bërë, gjë që ka bërë që shumë prej tyre të detyrohen të gjejnë banesa me qira, me çmime shumë më të larta.
Studentët janë shprehur të vendosur se përkundër kërcënimeve, presioneve të ndryshme ndaj tyre dhe prindërve të tyre, sërish kauzës së tyre do i shkojnë deri në fund. Për ta plotësimi i kërkesave të tyre është jetike.
(B.B/ Faxweb.al)