Partia Socialiste kishte zgjedhur Ulsi Manjën për të reaguar lidhur me audiopërgjimet e publikuara nga Bild, ku zyrtarë të lartë të saj në Durrës dhe në Shijak, u kapën në marrëdhënie intensive me një person që është sot në burg, Astrit Avdylaj.
Manja tha se PS nuk kishte dëgjuar asnjë favor dhe asnjë blerje votash në përgjime. Ndërkohë i pyetur nëse ndjen PS-ja përgjegjesi për Dakon, ai tha se preferon që fjalën e fundit ta thojë drejtësia.
A ka përgjegjësi partia juaj për faktin se një nga 12 drejtuesit e qarqeve politike është në lidhje konstante me krimin?
Manja: Nuk jam i shqetësuar për emrat e kapur në përgjime, jam këtu për të thënë se publikimi i tyre dëmton hetimin. Për këtë jam unë sot këtu. Po është e vërtetë që jam ulur në një tryezë me Vangjush Dakon, për sa kohë drejtësia e vendit tim nuk jep një dënim të formës së prerë për të, ai është i pafajshëm. Çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Unë sot jam këtu me ju, dhe mund të ulem dhe të bisedoj me këdo. Unë sot jam politikan nuk jam prokuror, në drejtësi funksionon ndryshe, pasi dy çështje me natyrë të ngjashme nuk mund të jenë njësoj. Provat duhet të jenë të marra tërësisht në rrugë proceduriale. Këtu jam që t’i kërkoj prokurorisë që per dosjet sensitive t’iu japë përgjigje qytetarëve.
(E.K/Faxweb.al)