Pasditen e sotme dhjetra gazetarë kanë bërë thirrje për protestë në rrjetet sociale, pas vendimit të kryeministit Edi Rama për të përjashtuar për 3 muaj nga konferencat e tij, gazetarin Klevin Muka, për shkak të një pyetje në drejtim të ministres Olta Xhaçka.
Rama u shpreh se gazetari do të qëndrojë për 3 muaj në riedukim, ndërsa më herët të njëjtin fat kishte pasur edhe një kolege e tij.
Por a zgjidhet raporti i Ramës me gazetarët përmes protestave? Për gazetarin Patrik Sadikaj, jo, pasi përtej debateve që mund të ketë Rama me reporterët, në të vërtetë fati i pyetjeve, konferencave apo qëndrimeve të mediave, është paracaktuar nga raportet që kryeministri ka krijuar me botuesit dhe pronarët.
I pranishëm në studion e lajmeve të Fax News, Sadikaj u shpreh se debatet që Rama krijon më gazetarët bëhen për të tërhequr vëmendjen nga shqetësimet reale të qytetarëve, që për momentin lidhen kryesisht me rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike.
Gazetari u shpreh se një pjesë e mirë e shoqatave të gazetarëve rendin pas fondeve, ndaj edhe qëndrojnë me gojën kyçur sa herë që pushteti cënon lirinë e medias dhe atë të shprehjes.
“Historia e marrëdhënies së kryeministrit Rama me gazetarët nuk është një gjë e re, që në kohën kur ka qenë kryetar bashkie ka pasur një baturë me gazetaren e Shijak TV asokohe, që prej atij momenti nuk ka mbaruar historia e komplikuar e Ramës me gazetarët. Ka pasur një tentativë prej tij që të mos lodhet me gazetarin, ka krijuar një marrëdhënie me botuesit, më jep të jap.
Riedukimi është një formë për të bërë debat, për të tërhequr nga shumë gjëra të tjera që janë rreth e rrotull si kriza e çmimeve, moshapja e negociatave, nuk i prish punë Edi Ramës një debat me gazetarin. Unë kam dëgjuar njerëz rëndom në rrugë, që thonë e pe sa mirë ia bëri kryeministri filanit.
Gazetarët duhet të kishin bërë të njëjtën gjë që bën kryeministri, të kishin marrë mikrofonin dhe të kishin ikur kur ai i fyente për minutatë tëra në oborrin e Kuvendit. Problemi është më i thellë se marrëdhënia e kryeministrit me reporterët. Marrëdhënia është krijuar me pronarët dhe me botuesit, gazetari është më i rrezikuar nga pronari i tij sesa nga kryeministri.
Askush nuk u mor nëse ministrja Xhaçka ishte në konflikt interesi me shpalljen e bashkëshortit të saj investitor strategjik, gazetarët po të ishin për të mbrojtur kolegun dhe dinjitetin e tyre duhet ta kishin treguar atë ditë që ndodhi përplasja, të ishin larguar nga konferenca. Gazetarët në këtë fazë janë përgjegjës vetë për atë situatë ku ndodhen, për shkak se janë të pafuqishëm përballë drejtuesve të medias.
Shoqatat e medias në Shqipëri janë grupe interesash që vrapojnë pas fondeve, a kanë garanci gazetarët që nuk hiqen nga puna përballë pyetjeve të tilla. Protesta nuk zgjidh asgjë, për sa kohë që kemi këtë situatë.
Gazetarët këtu jetojnë në kushte minimale, flas për gazetarët reporterë që përballen me arrogancën, vështirësitë e terrenit, që përballen me kushte jo të mira. Janë gazetarë që duhet të paguajnë qeranë në fund të muajit, janë me fëmijë, dhe kërcënohen me vendin e punës”, u shpreh Sadikaj.
(E.K/Faxweb.al)