NGA MENTOR NAZARKO
Tani kur shkuan huq të gjitha bastet e atyre që parashikonin se Kadare do të rrëmbente Çmimin Nobel për letërsi, ky, sidoqoftë, paraqet një rast të mirë për të reflektuar me thjerrëz introspektive për figurën e tij dhe kontributin në kulturën kombëtare.
Kadare shkëlqen edhe në mosmarrjen e çmimit prestigjioz, edhe për faktin se ai është i vetmi që nga viti 1975 që konsiderohet nga juria e Nobelit si një nga mëtuesit kryesorë.
Në një bisedë të paradokohshme telefonike që kisha me Kadaranë në lidhje me disa diatriba që i bëheshin atij për ‘flirtin’ me diktaturën, unë i thashë atij se duhet të ndihet mirë nga fakti që kritiku i tij më i madh është Fatos Lubonja.
Ky i fundit është dikush që në jetën e vet ka treguar integritet të lartë moral, duke rrezikuar jetën e vet në burg, i cili me të gjitha dritëhijet dhe konfliktualitetin e tij me politikën vazhdon të jetë një figurë e respektueshme në agorën tonë publike.
Në bisedë e sipër i thashë Kadaresë se për shkak të përmasës së tij ndërkombëtare, një kritik i brendshëm, që ka këtë gëzof publik si Lubonja, vetëm sa i bën nder përmasës së tij.
Ai u përgjigj se problemi kryesor ishte se kritikët e tij merreshin me shpifje, duke e shembulluar këtë me një keqinterpretim të fjalëve të tij për kulturën dhe gjuhën serbe.
Shkrimtari gjirokastrit më pati shpjeguar në intervistë se asnjëherë nuk ka thënë se serbishtja është gjuhë jevge, por kishte cituar dikë tjetër që e konsideronte gjuhën serbe si të tillë. Ky, sipas Kadaresë, ishte një nga shembujt se si shpifin detraktorët e tij.
Por cila është hisja e kriticizmit shqiptar në mosmarrjen e Çmimit Nobel?
Ka marrë përmasën e një bestytnie bindja jonë shqiptarocentrike se gjithçka thuhet e shkruhet për Kadarenë në Shqipëri do të ndikojë në formësimin e mendimit të atyre që japin Çmimin Nobel për Letërsi.
Prej kohësh ka bërë vend një farë paranoje se sapo avitet koha e ndarjes së çmimit të madh për letërsi, një kritikë shumëzërëshe në Shqipëri dhe jashtë saj ngre për një oktavë më shumë tonet kundër Kadaresë për të treguar se ky njeri, për shkak të ‘flirtit’ me diktaturën, nuk e meriton një çmim të tillë.
Unë nuk mund të jap një gjykim mbi rëndësinë e zërave të tillë jashtëletrarë në verdiktin e jurisë së Nobelit, por e them me siguri se ndarja e këtij çmimi nuk duhet të personalizohet si nderim për Kadarenë, por si një e mirë kombëtare, një kontribut i paçmueshëm për imazhin e shqiptarëve në botë.
Konsiderata ime e dytë është se Kadareja, ashtu siç e ka pohuar edhe vetë, nuk ka qenë disident. Kjo ka qenë një mënyrë elegante që ai të shmangë intensistetin e kriticizmit për raportet e tij me diktaturën.
Sipas meje, Kadareja bën deri diku modestin kur thotë që nuk ishte disident. E vërteta është që ai me veprën e tij ka staturën e një disidenti të madh. Le ta sqaroj këtë me një shembull nga jeta ime:
Diku kah viti 1983 po bashkëbisedoja me një shok timin të gjimnazit, babai i të cilit ishte sekretar partie në një shkollë të mesme. Në bisedë e sipër, ai më tha se ‘Kadareja është shkrimtar armik’.
Imagjinojeni këto fjalë të thëna nga goja e një 17-vjeçari! Ky, në të vërtetë, nuk ishte reflektim i pafajshëm i një të riu, por një jehonë kumbuese e atyre që dëgjonte të fliteshin në shtëpinë e tij.
Vepra e Kadaresë ishte nxitëse e disidencës dhe mendimit ndryshe.
Ky shembull tregon se edhe brenda familjeve të kuadrove komuniste, vepra e Kadaresë shihej si jashtë mendimit mbizotërues. Ka patur shumë njerëz që janë frymëzuar për oponencën e tyre ndaj regjimit pikërisht nga opusi shkrimtaresk i Kadaresë.
Në gjithnajën e kësaj galerie personazhesh që vinin nga e ashtuquajtura botë borgjeze dhe mikroborgjeze që ishte përmbysur, spikaste ajo që Kadare e kishte quajtur si humbje e sensit, meqë ata pritën për 50 vite rravgimin e një zbarkimi anglo-amerikan në Shqipëri.
Kjo humbje e sensit të realitetit ishte vetë ana groteske e tyre.
Ky është një moment për të thënë se Kadare me gjenialitetin e tij ka ofruar personazhe dhe mendim që kishin natyrë sferike, me gjuhë të kuptueshme dhe rezistente ndaj dhëmbit të kohës. Dhe ky ishte gjenialiteti kadarean: një vepër që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe lartëson kombin e tij.
Është e pamohueshme që një shkrimtar i tillë në ecajaket e tij mund të ketë pasur edhe kompromiset e detyruara, ashtu siç ka pasur raste të shumta me shkrimtarë të tjerë përballë regjimesh e diktaturash.
Kadare kritikohet për glorifikimin e figurave të komunizmit, si fjala bie, shëmbëllesa e Enver Hoxhës te ‘Dimri i Madh’. Ky lartësim, që bënte që sedra e regjimit të ndihej e mikluar, mund të ketë përcaktuar fatin e Kadaresë.
Por ky është një lexim së prapthi i dikujt si Enveri, i cili prej vitit 1961 nuk e pa më me sy Perëndimin dhe botën. Në paranojën e tij, ai nuk e kuptonte se prishja me sovjetikët se ç’kishte edhe një anë mosmirënjohjeje fodulle: fundja, Bashkimi Sovjetik kishte ndikuar vendimtarisht në paprekshmërinë e kufijve shqiptarë dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Ajo ishte një aventurë rrezikzezë, jo për të mbrojtur sovranitetin shqiptar sikundër thonë apologjetët e regjimit, por për të ruajtur pushtetin personal. Në këtë kuptim, Enveri i Ismail Kadaresë nuk është ai sikundër përjetohej nga ideologët e regjimit, por një njeri qesharak që i shkërbente një personazhi tjetër të Kadaresë, Belul Gjonomadhi, ku përmes ca vargjeve labe endej parodia për absurdin shqiptar: “O Behlul, o trim i marrë/ zure inat me radarë”.
Kadare me veprën e tij ka ngritur dyshime për soliditetin e shoqërisë komuniste. Në gjykimin tim, sado që letra e tij drejtuar Enverit përdoret për të trashur dosjen kundër Kadaresë, ajo flet saktësisht për të kundërtën: fakti që Kadare nuk e kishte të sigurt pozicionin e tij në një balet të rrezikshëm mbi akull.
Në këtë kuptim, përpjekjet për ta paraqitur Kadarenë si pjesë organike të pushtetit komunist janë një lloj letërsie politike që nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën.
Me këtë nuk po them që ai ishte një figurë puritane, por që vepra e tij është më e madhe sesa vetë ai, një yshtëse e përjetshme e disidencës.
Ata që e njohin Kadarenë dhe veprat e tij e dinë se kritika jokorrekte ka pasur edhe për kinezët te romani ‘Koncert në fund të dimrit’, apo edhe te një personazh tjetër që ironizonte me homoseksualët apo hebrenjtë.
Ne nuk e dimë se cili ishte mekanizmi analitik në gjykimin e anëtarëve të Nobelit, por dhënia e këtij çmimi në të ardhmen do të përbënte një të mirë të madhe për kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Kadare, në një mënyrë ose tjetrën, e ka sakrifikuar marrjen e Çmimit Nobel në favor të kombit të tij.
Përfshirja e tij në polemika të dendura me shkrimtarë serbë gjatë konfliktit në Kosovë, është bërë vetëdijshëm edhe me riskun e ‘cenimit’ të imazhit si shkrimtar ndërkombëtar. Por Kadare zgjodhi në mënyrë ‘shqiptarocentrike’ që të bëhet kalorës i kauzës kombëtare, më parë sesa të merrej me grumbullimin e pikëve të korrektesës politike për çmimin të madh.
Përtej faktit se ka një mobilizim të qëllimshëm të kritikëve të tij apo elozheve të dashamirëve të tij, duhet thënë që ky mobilizim është irracional dhe letërësi politike. Le ta marrim si shembull Fatos Lubonjën.
Ai nuk fiton në pikëpamje të reputacionit të tij nëse vazhdon me diskursin antikadarean, sepse kjo edhe i ka sjellë plasaritje jo të vogël imazhit të tij.
Pa asnjë prapamendim për të shkuptimësuar kritikën e mirëfilltë antikadareane, primadona e stihisë kundër Kadaresë është si një liliput mbi shpinën e një elefanti. Në madhësinë e tij, Kadare mund t’i ketë cenet e tij, por edhe liliputët në vogëlsinë e tyre spikasin shpesh edhe me dashakeqësinë dhe mërinë morbide…/Konica.al