Kreu i qeverisë Edi Rama në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë, u shpreh se PS po bën diskutime të brendshme lidhur me strategjinë që do të ndiqet në aspektin zgjedhor.
Rama u shpreh se po trajtohen të gjitha qarqet problematike, ndërsa theksoi se mandate i tij mbaron në Qershorin e 2021-shin.
“Kemi mësuar që pas çdo procesi zgjedhor është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ku janë problemet që duhen trajtuar, dhe të përpiqemi së bashku të lexojmë votën dhe pritshmëritë, atë që është baza e formësimit të një qasje strategjike, elektorati.
Diskutimi është lidhur me ndërtimin e strategjisë afatmesme dhe afatshkurtër, zgjedhjet afatmesme janë zgjedhjet në qershor 2021, dhe në afatshkurtër janë zgjedhjet brenda vetë PS-së”, u shpreh Rama.
I pyetur nga gazetarët nëse kishte tërheqje veshi të ndonjë zyrtari të PS-së, Rama tha se kjo nuk ka ndodhur.
“Ne ndryshe nga sa thuhet shumë gabimisht, diskutojmë hapur dhe nuk tërheqim veshët e njëri tjetrit. Jemi ballafaquar me të gjithë elementët dhe përgjegjësitë që secili ka, për të vijuar procesin që kemi luksin ta vijojmë para vitit të ri politik, që nis në shtator”, tha më tej kryeministri.
Rama u tregua i prerë kur tha se mandati nuk diskutohet, dhe me opozitën e dalë në rrugë do të diskutojë vetëm për Reformën Zgjedhore.
“Kemi bërë një diskutim lidhur me strategjinë, ne jemi një organizatë që funksionojmë në bazë strategjie, pastaj hap pas hapi vijnë dhe lëvizje taktike.
Ne jemi të gatshëm që të bisedojmë edhe me opozitën jashtë parlamentare, sa i takon Kushtetutës dhe ligjshmërisë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mandatit tonë qeverisës, këto nuk diskutohen, pasi janë detyrimet tona përballë publikut. Duhet të mbajmë me nder dhe me dinjitet deri në vitin Qershor 2021”, deklaroi Rama.
Ndërkohë pas insistimit të gazetarëve, se çfarë do të ndodhë në 13 Tetor, ku Meta ka dekretuar zgjedhjet, kreu i qeverisë tha se kjo ishte një ditë e zakonshme për socialistët.
3 palë zgjedhje në 13 Tetor
Zgjedhjet janë bërë në 30 Qershor, jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore, jemi ndarë në tre rajone. Në rajonin verior që drejtohet nga unë, në rajonin e mesëm, që drejtohet nga kreu i grupit parlamentar, dhe në rajonin e jugut që drejtohet nga kreu i Kuvendit. Për mua 13 Tetori është njësoj si data 12, nuk e di as ça i bie, me gjasë do të jetë e dielë.
Pse u deshën 3 superrajone
Filozofia jonë është të mos flemë mbi dafina, dhe kjo ndodhi as në 30 Qershor, ku ne patëm fitoren më të madhe, atë me ligjin dhe me shtetin e së drejtës.
Kreu i qeverisë u pyet dhe për propozimin e presidentit Meta për kreun e KLSH, Petraq Milo, teksa tha se nuk kishte marrë informacion për këtë.
(E.K/Faxweb.al)