Nga Andi Bushati*
Lajmi për lëvizjet e drejtuesve të dy prej mediave tradicionale të vendit, ka hapur që prej të mërkurës një debat, sa të kotë, aq edhe larg së vërtetës, lidhur me rolin e drejtpërdrejtë të kryeministrit në kontrollin e informacionit.
Fakti se si Armand Shkullaku, po ashtu edhe Alfred Lela ishin gazetarë kritikë me Edi Ramën, duke qenë se të dy e përligjën largimin e tyre me “ndryshimin” e vijës editoriale, e ka bërë shumëkënd të shtrojë dilemën nëse ka qenë vetë Rama që e ka kërkuar spastrimin, apo ka qenë servilosja deri në bythëlëpirje e pronarëve të Klanit dhe Mapo-s, që kanë dashur t’i bëjnë peshqesh pushtetit, kokat e gazetarëve të pabindur.
Nga sa kolegë kam lexuar sot, nga sa reagime në Facebook që kam parë dhe nga sa lexues të thjeshtë kam arritur të kontaktoj, të gjithë ndahen mes këtyre dy versioneve.
Të parët fajsojnë Edi Ramën. Ata argumentojnë se një lëvizje e tillë po bëhet përpara zgjedhjeve, se ajo vjen pas një fushate të stërzgjatur të kryeministrit kundër gazetarëve kritikë dhe së fundi se ajo po ndodh, tani, pasi pushteti i rënuar i Rilindjes, i ka shpërndarë thelat e para të mëdha. Ai ka dhuruar lejet e ndërtimit, kioskat, masterat për universitete të palicensuara në ato degë, dhe tenderat për rregullimin e institucioneve që i kanë kënaqur të tërë pronarët e mediave.
Më radikalët e këtij grupi shkojnë edhe më tej. Ata përmendin një politikë konstante të Edi Ramës për të luftuar të gjitha zërat që i dalin kundër.
A nuk e larguan Andi Bejten nga TV Klani sapo Rama erdhi në pushtet? A nuk fikën sinjalin e Agon Channel menjëherë sapo aty filluan punë Fatos Lubonja dhe Andi Bejtja? A nuk mbaroi kontrata e Mapo-s me Artur Zhejin menjëherë sapo ky i fundit u shndërua nga pro kundër Ramës? A nuk u mbyll emisioni “Publicus”, vetëm pasi bëri dy investigime për aferën e ndyrë të importit të plehrave dhe për vdekjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë?
Të gjitha këto raste dhe këta gazetarë mund të kenë specifikat dhe veçoritë e tyre, por ajo që i bashkon, pavarësisht nga qëndrimet, idetë, apo karakteri, është se ata e kanë pësuar së bashku si kritikë të kryeministrit. Ndërkohë që këto tre vite, asnjë koleg i tyre, pro Edi Ramës, nuk ka provuar një fat të ngjashëm.
Kjo i bën të gjithë ata që mbrojnë idenë se në këtë teatër kukullash fijet i luan kryeministri, të jenë kokefortë në bindjen e tyre.
Nga ana tjetër, është një grup i dytë që më shumë sesa kryeministrin, për atë po ndodh, fshikullon rracën e pështirë të pronarëve të mediave tradicionale.
A nuk ishte Frangaj dhe Klani i njëjti edhe kur Rama nuk ishte në pushtet- thonë ata? A nuk u ngrit dhe u zmadhua ky televizion me paratë publike dhe okulte të dhuruara nga regjimi i Berishës? A nuk u larguan prej tij reporterë dhe drejtues emisionesh vetëm se guxonin të kritikonin shefin e “zv/kryeministrit”? A nuk ndodhi që edhe kur një gazetar i ABC u plagos më 21 janar, atë e pushuan nga puna vetëm që mos cënohej imazhi i vrasësve?
Pikpyetjet shkojnë edhe më tej.
Si Klani ashtu edhe Mapo (të dyja sot në qendër të vëmendjes), që kanë qenë kundër Ramës në 21 janar, që kanë milituar për t’i vjedhur atij 10 votat e Tiranës, që kanë bërë fushatë për një mandat të tretë për Berishën, sot, paturpësisht, e kanë kthyer fletën dhe po kërkojnë një katër vjeçar të ri për Edi Ramën.
Sipas këtij grupi të dytë, këta pronarë delenxhij i kanë shndërruar mediat në kioska familjare ku punësojnë si gjobaxhinj profesionistë njerezit e tyre të afërt. Ata çdo qëndrim editorial e kanë të lidhur me një leje ndërtimi, me një liçencë universiteti, me një koncesion parkingjesh, me një tender publik. Është pikërisht kjo rracë e dalë boje në sytë e publikut që i ka shpallur luftë përmes largimeve nga puna gazetarëve sadopak kritikë.
Mendoj se të dyja grupet thonë secila vetëm një pjesë të së vërtetës. Sepse çështja nuk shtrohet nëse e ka fajin autoritarizmi i Ramës që kërkon linçime, apo servilizmi i bosëve të medias që kanë nxjerrë të pasmet në shitje.
Nëse gishti duhet ngritur diku, ai duhet drejtuar mbi këtë bashkim mostruoz. Pasi Rama së bashku me ata janë dy anë të së njëjtës medalje. Jo më kot kryeministri nuk ka lënë media të vendit pa e ushqyer me pasuri publike. Jo më kot ai ka shpërndarë, leje ndërtimi, kioska, tendera, universitete. Jo më kot, po ashtu, pala tjetër në këmbim të tyre, ka zhdukur të gjitha bordet editoriale, i ka lënë televizionet në duar familjarësh, ose gazetarësh të paaftë për t’i përdorur deri në fund, i ka shndërruar ato në fabrika gënjeshtrash që i shërbejnë çdo grabitësi që i ushqen financiarisht.
Pra, në këtë kuptim, të gjithë ata që kanë imagjinuar se për shembull, një natë, diku në një zyrë të mbushur me flutura në kryeministri, Edi Rama i ka kërkuar Henri Cilit, kokën e Alfred Lelës, apo se në të kundërt, në të njëjtin vend, ai që kërkon liçencë për një universitet mjeksor, ka dorëzuar në tepsi kryet e drejtorit të mediave të tij, kanë shkuar larg me fantazinë e tyre.
Jam i bindur se asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Askush s’ka kërkuar apo ka kërcënuar. Askush, po ashtu, nuk është vetëofruar me përulje.
Sepse fatkeqësisht, ajo që ka ndodhur është një “marrveshje xhentëllmenësh” mes atyre që punojnë për një qëllim. Rama për të grabitur këtë vend dhe pronarët e mediave tradicionale për të marrë pjesën e tyre në këtë shllafari. Prandaj dhe debati se kush është më shumë fajtor në spastrimin e “gazetarëve të kazanit” është një përpjekje pa sens. Të dyja palët i njohin mirë qëllimet e përbashkëta dhe janë të vendosur të luftojnë me këdo që guxon të ngrejë zërin kundër kësaj aleance okulte.
*Marrë nga Lapsi.al
http://www.exvotospintados.mx/index.php/libros/textos-relacionados/item/586-presentacion-del-libro-el-arte-de-dar-gracias-los-exvotos-pictoricos-de-maria-del-rosario-de-talpa
I can inform you being truly a California Local, you’re
able to miss likely to Six flags (if you prefer to find out
gang members not worthwhile).