Sot u shpall kandidatura e dytë për kryetarin e Partisë Demokratike. Pas Eduard Selamit, Astrit Patozi është kandidati tjetër që do garojë kundër Lulzim Bashës, për karrigen e kryetarit.
Në prag të zgjedhjeve, gazetari dhe opinionisti Arben Vata, u jep disa këshilla demokratëve, se çfarë duhet të kenë parasysh gjatë kësaj gare.
Sipas Vatës, para se demokratët të zgjedhin kryetarin e partisë duhet të ndjekin mednimet e atyre që nuk militojnë në PD, por të atyre që s’kanë lidhje me partinë.
REAGIMI I VATËS
A po ndikon qeveria në garën e PD?!
Kujtesë për demokratët përpara se të zgjedhin kryetarin.
Sa i takon garës për kreun e PD, interesante duken qëndrimet dhe komentet e gazetarëve, politikanëve apo njerëzve të tjerë publikë të cilët njihen qartësisht si kundërshtarë të Partisë Demokratike. Ata ndahen në disa kategori dhe qëndrimet e tyre janë si më poshtë :
1- Persona që nuk kanë pasur ndonjëherë simpati për Bashën dhe PD, por njëkohësisht as ndonjë simpati konstante për PS e Ramën. Ata bashkohen në atë që Basha bëri gabim që u vetë-ngri dhe që nuk lejon garën në PD. Madje, ata bëjnë edhe humor me qëndrimin e Bashës.
2-Persona që kanë qenë brenda PD por tani nuk janë më dhe shpeshherë konvenojnë qëndrimet e tyre me PS. Ata kritikojnë ashpër Bashën, por edhe disa prej kundërshtarëve të Bashës në PD. Megjithatë ata janë për një garë të hapur dhe të barabartë,prej së cilës shpresojnë që Basha të dalë i humbur.
3-Persona të njohur për lidhjet dhe afërsinë e tyre për të majtën, apo edhe aktivë në kampin qeveritar, të cilët mendojnë se Basha duhet të jetë kryetari në vijim i PD dhe përjashtojnë të drejtën e kundërshtarëve të tij në garën për kryetar.
Kurse komentet dhe qëndrimet e gazetarëve, politikanëve apo personave të tjerë publikë që janë të njohur për lidhjet me PD ose janë pjesë aktive e saj, duhet thënë se në pjesën dërrmuese të tyre nuk janë aspak të sinqerta. Qëndrimi i tyre është i lidhur kryekëput me interesat e tyre të momentit.
Ndaj, do të ishte me interes ndoshta për anëtarët e PD, që më shumë sesa qëndrimet e atyre që militojnë në PD, të reflektojnë rreth qëndrimit të atyre që nuk kanë lidhje me PD.
Ndoshta në këtë në këtë mënyrë do të mund të kuptojnë se për kë duhet të votojnë; se cili do të ishte kundërshtari më i fortë i qeverisë dhe cili do ta bënte partinë e tyre më atraktive dhe me të besueshme, jo vetëm për anëtarët e saj por për pjesën dërrmuese të shqiptarëve. (D.D/Shuplaka)