Ditët e fundit në media dhe jo vetëm është hedhur teza se LSI-ja po kërkon që të kthehet sërish me PS-në.
E gjitha kjo vjen pas uljes në dukje të toneve të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi si dhe ftesës së saj për bashkëpunim në të mirë të vendit.
Endrit Braimllari, deputeti i LSI-së, i ftuar sot në emisionin e mëngjesit në ‘’Fax News” i pyetur nga gazetari Rezear Xhaxhiu për këtë çështje tha se e gjitha kjo është propagandë e qeverisë Rama.
Xhaxhiu: A po përforcon LSI-ja idenë se është një parti që po zvarritet për pushtet?
Braimllari: Kjo është një propagandë që i intereson Edi Ramës, LSI-ja nuk është parti që ka lindur në pushtet. Ka lindur në opozitë dhe ka qëndruar aty për pesë vite, misioni ynë është procesi integrues i vendit dhe këtë e kemi treguar edhe me qëndrimet tona. Po të mos ishte LSI-ja nuk do të ishte bërë reforma në drejtësi, dhe nuk do të kishte stabilitet vendi. Prioriteti ynë mbetet integrimi.
Braimllari theksoi se LSI-ja në opozitë ka dhënë alternativa në të mirë të qytetarëve, duke iu referuar këtu propozimeve për paketën e ndihmës ekonomike, paketën për uljen e taksave, apo bashkëpunimin e saj në proceset integruese të Shqipërisë.
Duke iu refrruar heqjes së ndihmës ekonomike për 20 mijë familje, Braimllari u shpreh: Kam thënë se po instalojmë sistemin diktatorial, pasi ky sistem varfëron popullin. Edi Rama kërkon t’i varfërojë gjithnjë e më shumë shqiptarët, në mënyrë që ata të mos ngrihen kundër qeverisë.
(E.K/FAXWEB)