Belind Këlliçi pas mbetjes jashtë listave të PD-së për deputetë dhe zhvillimeve më të fundit brenda partisë ka zgjedhur të tregojë më shumë rreth qëndrimit të tij.
Në studion e “ABC Neës” pëballë gazetarit Endri Xhafo ai ka treguar dhe bisedën me Bashën pas mbetjes së tij jashtë listave.
“Basha kishte dhënë premtimin se 35 % e listave do të ishin nga të rinjtë gjë që nuk rezultoi e tillë. Të rinjtë e kanë punuar vullnetarisht dhe nuk kanë ardhur në këtë parti për të marrë pushtet për vete.
Kemi shkuar derë më derë bashkë me të rinjtë që të prezantonim programin e PD-së. rezultati ishte tërëisht i pamenduar. Unë jam i mendimit që nuk kanë qenë vetëm listat ato që sollën rezultatin zhgënjyes”, u shpreh Këlliçi.
Këlliçi po ashtu ka reaguar me të qeshur sa i përket pyetjes së gazetarit Endri Xhafo që mund të jetë penalizuar për futjen në lista për shkak se është dhëndër i Rilindjes.
Ai thotë se lufta e klasave ka përfunduar prej vitesh dhe nuk mund të vijohet më me këto ideologji.
Ai vijoi më tej duke thënë se listat kanë habitur shumëkënd në PD. “Unë jam ulur me Bashën në tavolinë dhe kam diskutuar gjatë me të, takimi ka qenë konfidencial dhe unë nuk dua që të komentoj më gjatë për këtë”, vijoi më tej kreu i forumit rinor në PD.
Këlliçi thotë se pavarësisht se ka pasur pakënaqësitë në lidhje me listat ka shkuar në të gjithë qytetet e Shqipërisë për të punuar fitoren e PD-së.
Po ashtu ai ka komentuar dhe përplasjen që ka pasur me Ervin Salianjin, duke thënë se vendosja e tij në listën e PD-së në korçë ka qenë vendim i Bashës të cilin e ka pranuar.
Këlliçi ka vijuar më tej duke thënë se dhe shitblerja e votës ka pasur një ndikim të sajin në rezultatin e zgjedhjeve.
Pyetjes si e komenton shprehjen se “PD u krijua nga studentët e dhjetorit dhe u shkatërrua nga studentët e Çilit”, Këlliçi iu përgjigj: “Shprehje shumë interesante, sepse Neim Çili, ai që kërkoi mandatin e dytë për Edi Ramën përpara zgjedhjeve të 25 qershorit, tani nëpërmjet marionetave të tij po kërkon të shtrijë ndikimin edhe te PD”. (E.K/SHUPLAKA)
Video e plotë e Intervistës: