Albin Kurti duke folur për mediat në Samitin e Paqes për Europën Juglindore, ka folur për takimin e tij disaorësh në kryeministri me Edi Ramën, mbrëmjen e djeshme.
“Biseduam për çështje të përbashkëta, dhe për çështjet e viseve tona, duam që në aspektin e politikës së jashtme dhe ekonomisë të kemi një bashkëpunim më të mirë. Mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët, janë shumë më të mëdha se realiteti që kemi krijuar, duam të krijojmë sa më shumë ura që të ndihmojmë shqiptarët të mos jenë më të nëpërkëmburit në Ballkan. Minishengeni ballkanik më ngjan më shumë si një ide, sesa një projekt.”, u shpreh Kurti.
I pyetur nga gazetarët nëse në takim është folur për padinë që do të ngrejë Rama në drejtim të Ramush Haradinajt, Kurti tha shkurt:
“Jo nuk jemi marrë me këtë gjë”.
Ndërkohë që i ngacmuar nga gazetarët, nëse janë thyer akujt mes tij dhe Ramës, Kurti tha se ndasitë mes tyre janë normale, po ata duhet të bashkëpunojnë, në mënyrë që shqiptarët të mos jenë më të nëpërkëmbur në Ballkan.
Kurti tha se Edi Rama nuk ka qenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por për një dialog mes dy vendeve, që do të ishte në favor të të gjithë anëtarëve të Ballkanit Perëndimore.
Lideri i Vetëvendosjes u shpreh i prerë se dialogun me Serbinë tani e tutje do ta drejtojë ai, por që nuk beson te një marrëveshje, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi, në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara, jemi njerëz dhe politikanë të ndryshëm, duam që të punojmë që diferencat që kemi mos të pengojnë detyrat tona.
Dialogun e ardhshëm me Serbinë do ta drejtoj unë si kryeministër i Kosovës, nuk pritet që të ketë marrëveshje përpara zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi në pranverën e ardhshme.
Tarifa do të zëvendësohet me reprocitet, le ta lëmë Serbinë që të flasë vetë si do të veprojë”, përfundoi Kurti.
(E.K/FAXWEB.AL)