Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi dy punonjës policie në Sarandë dhe Has për “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor A. K, me detyrë në Forcën e Posaçme Shqiponja, në Komisariatin e Policisë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.
Arrestimi i tij u krye pasi gjatë drejtimit të mjetit tip “Mercedes Benz” në qytetin e Sarandës, është përplasur me mjetin tip “Wolksvagen”, duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit rezultoi pozitiv.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës-Dibër) ka bërë ndalimin me iniciativë të punonjësit të policisë Inspektor H. D., 53 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Has, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të Qarkullimit Rrugor”.
Ndalimi me iniciativë i punonjësit të policisë u krye pasi duke drejtuar automjetin e tij Volkswagen në rrugën ”Demokracia” në qytetin Krumë, ai ka përplasur dy këmbësoret shtetaset M. G, 43 vjeçe dhe Z. G., 78 vjeçe, të cilat janë duke marrë ndihmë mjekësore.
Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].