Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar ngrirjen e 2.2 miliardë dollarëve në grante shumëvjeçare dhe 60 milionë dollarë në kontrata për Universitetin e Harvardit. Ky vendim erdhi vetëm pak orë pasi institucioni refuzoi të zbatojë kërkesat e qeverisë federale për ndryshime të thella në politikat e tij, shkruan CNN.
Presidenti i Harvardit, Alan M. Garber, në një deklaratë të tij tha se universiteti nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij kushtetuese.
“Asnjë qeveri, pavarësisht se cila parti është në pushtet, nuk duhet të diktojë se çfarë mësojnë universitetet private apo kë duhet të pranojnë dhe punësojnë”, deklaroi Garber. Administrata Trump ka paralajmëruar shumë universitete anembanë SHBA-së me shkurtime fondesh nëse nuk do të bëheshin ndryshime në politikën e shkollës, ndërkohë kanë justifikuar vendimin duke thënë se masa synon të luftojë antisemitizmin në kampuse dhe të ndalojë përdorimin e fondeve federale- sipas tyre për nxitje të diskriminimit racor.
“Presidenti Trump po punon për ta bërë arsimin e lartë sërish të shkëlqyeshëm. Nëse Harvardi dëshiron të shkelë Titullin VI, ai nuk ka të drejtë për financim federal,” deklaroi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Harvard aktualisht zotëron një fond të dhurimeve prej 53.2 miliardë dollarësh, megjithatë një numër i madh projektesh kërkimore në bashkëpunim me qeverinë janë në rrezik. Ndër këto projekte përfshihen studime në fushat e shëndetësisë, inteligjencës artificiale, klimës dhe inovacionit teknologjik.
Qeveria ka njoftuar se do të shqyrtojë gjithashtu 8.7 miliardë dollarë në grante të tjera dhe më shumë se 255 milionë dollarë kontrata mes Harvardit dhe agjencive federale.