Administratori i kompanisë “Bana King”, Trifon Murataj, është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për shkelje të rënda të rregullave të sigurisë në punë, pasi një punonjës i kompanisë pësoi një aksident të rëndë duke humbur shikimin në njërin sy.
Ngjarja ndodhi më 19 shkurt 2025, kur punonjësi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, u dëmtua rëndë në sy gjatë procesit të punës. Ai po hapte arkata me banane në një kontejner të kompanisë “Bana King” (e cila operon nën emrin “Zico”), kur bisturia që po përdorte u shkëput papritur dhe e goditi në mënyrë të parikuperueshme në sy. Hetimet zbuluan se punonjësi nuk kishte dokumentacionin e duhur dhe nuk kishte nënshkruar një kontratë që e njihte me rreziqet në punë.
Pavarësisht seriozitetit të dëmtimit, kompania nuk ka raportuar menjëherë rastin te autoritetet. Në vend të kësaj, punonjësi u shoqërua nga një koleg në një klinikë private, por kjo e fundit nuk e pranoi dhe më pas ai u dërgua në spitalin shtetëror, i cili më pas njoftoi policinë për incidentin.
Inspektorati i Punës ka vendosur një gjobë të lartë ndaj kompanisë për mungesën e dokumentacionit dhe shkeljet e sigurisë, por detajet e kësaj mase nuk janë bërë publike nga policia. Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet dhe ka shpallur në kërkim Trifon Muratajn për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Murataj nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Ai ndodhet në kërkim që nga viti 2022, kur në portin e Durrësit u kapën rreth 33 kilogramë kokainë të fshehura mes arkave me banane të ardhura nga Ekuadori. Pas këtij zbulimi, tre persona u arrestuan, dy prej të cilëve punonjës të portit të Durrësit, ndërsa Murataj, duke qëndruar jashtë vendit, mohoi çdo lidhje me ngarkesën e drogës.