Adriatik Llalla kthen në detyrë 2 prokurorët e pezulluar, Artur Selmani dhe Alma Muça. Pak ditë më parë në një dalje publike, kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi se pezulloi drejtoreshën e Personelit dhe Gjyqësorit Alma Muça dhe prokurorin Artur Selmani. Madje Llalla edhe i kallëzoi për shpërdorim detyre me dyshimin se favorizuan të pandehurit për vrasjen e trefishtë në Vlorë, gjatë procesit në gjykatën e lartë.
Por ”Shuplaka” mëson se vetëm pak ditë më parë Muça është kthyer si prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa Selmani është komanduar në Prokurorinë e Shkodrës.
Llalla urdhëroi nisjen e hetimit ndaj dy prokurorëve që kërkuan pushimin e çështjes së vrasjes të tre të rinjve në Vlorë për qëndrimin e dyshimtë të mbajtur në Gjykatën e Lartë ku po zhvillohet rekursi për ngjarjen e 2015-ës në Vlorë, ku tre të rinj humbën jetën pas një konflikti të armatosur. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më pas Prokuroria e Apelit Vlorë vendosën dënime maksimale për tre të akuzuarit: një i dënuar me burgim të përjetshëm, dy të dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit në Vlorë. Por pas rekursit që të pandehurit kanë dorëzuar në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani nuk mbështeti qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë dhe kërkoi pushimin e akuzave shumë të rënda. Këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.
Në një intervistë për “Shuplaka”, babai i një prej viktimave, Akil Rakipit, bwri deklaratwn e fortw se diçka e rwndw po ndodh gjatë këtij procesi, kryesuar nga gjykatësit Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca dhe Artan Zenelaj me relator Guxim Zenelaj. Ai u shpreh se sipas tij, problemi qëndron te prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani, qw sipas tij është blerë.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
”Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla pezulloi nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më tej, Prokuroria e Apelit Vlorë, kanë gjetur mbështetjen e gjykatave respektive, të cilat kanë vendosur dënime maksimale për 3 personat e akuzuar. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kishin paraqitur pretendimet e tyre lidhur me akuzat dhe dënimet. Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë.
Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça. Prokurori i Përgjithshëm, i vënë në dijeni për situatën, pasi prokurori Selmani e kishte prezantuar qëndrim e tij në Gjykatën e Lartë, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e tij dhe të drejtorit , Alma Muça, si edhe ka urdhëruar nisjen e hetimit për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve.” Dhe “Shpërdorim detyre”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi. Gjithashtu, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.” (V.G/SHUPLAKA)