Është shtyrë sërish seanca për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun. Bëhet me dije se togate zeza gjatë mbledhjes së sotme në Gjykatën Penale të Tiranës, janë pranuar provat e dorëzuara nga Prokuroria dhe mbrojtësit e Kajmakut.
Mësohet se gjatë seancës së sotme, avokati i Agim Kajmakut, Z. Isuf Shehu depozitoi në sekretarinë e gjykatës kërkesën për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Znj. Shefkie Demiraj.
Në shkresë përmendet se ka indicie që Znj. Demiraj është në proces Vettingu dhe po verifikohet nga Pamela Qirko (Balluku) motra e ministres Belinda Balluku.
Sipas avokatit, ky fakt përbën një shkak të rëndësishëm anshmërie. Seanca e radhës, do të zhvillohet në datën 18 qershor, ora 10:00, ku do të merren në pyetje dëshmitarët Gentian Picari, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, ndërkohë që vetë Kajmaku është ende në arrati.
Kujtojmë se ish-kryebashkiaku po gjykohet në mungesë për akuzat e “falsifikimit të formularëve”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “kryerje e funksionit pas dhënies fund të tij”.
Kajmaku prej disa kohësh është shpallur në kërkim pasi u provua se kishte falsifikuar dokumentet e dekriminalizimit, duke fshehur një dënim në Janinë.
Discussion about this post