Ish-kreu i bashkisë Vorë Agim Kajmaku ka lënë ditën e sotme spitalin, ku ishte shtruar në spitalin privat “Continental” vetëm dy ditë më parë pasi thuhej se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pikërisht për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Agim Kajmaku i cili prej muajsh ishte në arrati, pasi ishte shpallur në kërkim, u la i lirë dje nga gjykata e Apelit.
Gjykata Apelit vendosi masën ‘detyrim paraqitje’ për ish kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, i cili kishte vetëm 24 orë që ishte vënë në pranga.
Mësohet se prokurorja e çështjes Arta Marku ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje për shkak të gjendjes shëndetësore. Kajmaku vuan nga disa sëmundje dhe kjo me sa duket ka ndikuar në zbutjen e masës së sigurisë.
Agim Kajmaku u ndalua në spitalin privat “Continental” në Tiranë, pasi ishte paraqitur atje në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi vuante nga diabeti. Mjekët e spitalit “Continental” pasi e kanë identifikuar kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila më pas ka bërë arrestimin e ish-kreut të bashkisë.
Kajmaku akuzohej për “falsifikim i vulave dhe formularëve”, “falsifikim i dokumentave zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies së tij”, dhe prej muajsh ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë.
Kajmaku ishte në kërkim që prej muajit nëntor, për emërime të paligjshme, pasi u zbulua se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Ish-kryebashkiaku socialist nuk deklaroi dënimin e tij në Greqi kur kandidoi në zgjedhjet vendore të qershorit 2019.
(M.Q/Faxweb.al)