Policia keniane deri më tani ka identifikuar trupat e 47 personave që ata besojnë se ishin anëtarë të një sekti të krishterë që besonin se do të shkonin në parajsë nëse agjëronin deri në vdekje.
Policia filloi zhvarrosjen e trupave nga pylli Sakahola pranë qytetit bregdetar të Malindit të premten. “Në total, 47 njerëz vdiqën në pyllin Sakahola,” tha inspektori i policisë Charles Kamau për Reuters. Por ai shtoi se hetimet vijojnë për identifikimin e viktimave të tjera.
Në fillim të këtij muaji, policia shpëtoi 15 anëtarë të sektit, Kishës Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë, të cilët thanë se ishin urdhëruar të vdisnin nga uria. Katër nga ata njerëz, megjithatë, vdiqën para se të arrinin në spital.
Udhëheqësi i sektit, Paul Mackenzie, u arrestua pasi autoritetet morën një informacion për “varre të cekëta” në të cilat ishin varrosur të paktën 31 ndjekës. Mediat lokale raportuan se Mackenzie refuzoi të hante ose të pinte asgjë gjatë kohës që ishte në paraburgim.
Ministrja e Punëve të Brendshme Kiture Kidiki tha se i gjithë pylli, që mbulon rreth 3,200 hektarë, është rrethuar dhe është shpallur skenë krimi.
“Kjo shuplakë e tmerrshme në fytyrën e ndërgjegjes sonë duhet të çojë jo vetëm në dënimin e ashpër të autorëve të kësaj mizorie në kurriz të kaq shumë shpirtrave të pafajshëm, por edhe në rregulla më të rrepta (përfshirë vetërregullimin) për çdo kishë, xhami, tempull apo sinagogë”, shtoi ai.