Shkrimtari Agron Tufa, njëkohësisht edhe Drejtor i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, , për Edmond Ali Calja i cili sipas tij, ka ushtruar një dhunë të pakonceptueshme ndaj të burgosurve duke i rrahur, gjymtuar e skllavëruar në burgun e Qafë-Barit.
“Ne sot sapo bëmë një kallëzim penal në emër të ISKK tek Krimet e Rënda, për Edmond Ali Caja i cili ka ushtruar një dhunë të pakonceptueshme ndaj të burgosurve duke i rrahur, gjymtuar e skllavëruar në burgun e Qafë-Barit. Me të drejtën që na jep Kushtetuta, e shikojmë të mundshme ta shfrytëzojmë për të bërë një kallëzim penal i cili do të ndiqet edhe nga të tjera kallëzime dhe duam të japim kontributin tonë për pastrimin e shoqërisë ndaj këtyre kriminelëve, dhe t’ju tregojmë brezave se të drejtat e tyre janë të ligjshme. Ky atdhe na përket të gjithëve dhe jo vetëm kastës së kriminelëve”.
Sa ju përket provave të dërguara pranë organit të akuzës ndaj Cajas, Tufa tha se përveç provave të arkivuara në formë dokumentacioni, ka edhe dëshmitarë të shumtë ocular që kanë qenë present në masakrën e 2 Majit 1984.
“Përveç provave të arkive kemi edhe prova të panumërta të dëshmitarëve okularë 2 maj 1984. Rebelimi i të burgosurve të Qafë Barit ndaj të cilëve u ushtrua një dhunë e pashembullt nga Edmond Caja specifikisht. Këto dëshmi janë të shumta, janë juridike dhe të mbijetuarit janë në gjendje ti risjellin sa herë janë të nevojshme në shërbim të drejtësisë. Më 22 Maj 1984 është tortura mbi ish-të burgosurin Sandër Sokolin të cilit i është thyer shtylla kurrizore e si pasojë gjeti vdekjen. Ka pasur edhe gjymtime, dëmtime e skllavërime pa fund ndaj ish-të dënuarve të tjerë. Të paktën deri më tani kemi 64 dëshmitarë por mendoj se ka edhe më tepër dhe ata vijnë vullnetarisht për të rrëfyer se çfarë ka ngjarë në ditët e terrorit”.
Ndërkohë përfaqësuesi i zyrës ligjore që ka marrë në ngarkim çështjen në fjalë hodhi deklaratën e fortë kur tha se denoncimet do të vijojnë duke paralajmëruar se në listën e personave që do të përballen me drejtësinë janë edhe emra politikanësh e zyrtarësh të lartë.
“Është fillimi, besoj se do të ketë emra të tjerë, ku nuk përjashtohen edhe ata të politikanëve si dhe ty zyrtarëve të tjerë që sot drejtojnë institucione të rëndësishme”, tha ai.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post