Vdekja e akademikut Moikom Zeqo mëngjesin e sotëm ka qenë një njgjarje e trishtë e cila ka sjellë reagime dhe mesazhe të shumta ngushëllimi.
Gazetarja Ola Bruko ka dhënë detaje të bisedës së fundit me akademikun para pak ditësh. Ajo u shpreh se në momentin kur i telefonoi të ndjerit për ti bërë një ftesë për të qenë në emision ditët e fundit, mori si përgjigje nga ai pamundësinë fizike për të qenë prezent.
-“Ah moj Ola, unë po iki..,nuk jam fare mirë, nuk mundem të vij” me tha ai..! Më trishtoi pa masë ajo përgjigje, dhe sot me trishtoi shumë ndarja nga kjo jetë e profesorit të nderuar Moikom Zeqo! Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të dashurve te tij”, shkruan Ola Bruko!
Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo nuk ia ka dalë dot ta përballojë sëmundjen e rëndë, prej së cilës vuante prej vitesh. Ai ka ndërruar jetë sot në moshën 71 vjeçare në banesën e tij në kryeqytet.
Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, ndërsa familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku bëri arsimin fillor. Zeqo prej disa vitesh vuante nga leuçemia akute, e cila është bërë shkak dhe për ndarjen e tij nga jeta.
Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-‘76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar – 10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeu Historik Kombëtar.
Moikom Zeqo mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Ai është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht. Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë.