Së shpejti në ‘’Fax News” do të nis transmetimin emisioni investigativ ”Ajsberg”, i gazetarit Artur Çani.
Emisioni do të jetë çdo të hënë, ndërsa do të trajtojë një sërë çështjesh korruptive që lidhen me zyrtarë të shtetit dhe jo vetëm.
Artur Çani, që do të jetë dhe drejtues i këtij emisioni u shpreh se këtë herë ‘’Ajsberg” do të ketë një ndryshim, në fund të çdo puntate, katër dosje të investigimit do t’iu çohen KLSH-së, Prokurorisë dhe dy ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së.
”Te ‘’Fax news” unë kam gjetur atë që kanë gjetur edhe shikuesit, lirinë. Sa i madh apo i vogël është një televizion, këtë e tregojnë atë që flasin të tjerët, dhe në gjashtë muaj ky ekran ka arritur që të tërheqë vëmendjen e shumë njerëzve.
Ketë televizion akoma nuk e ka blerë njeri, shpresoj qe të jetë jetëgjatë, duke qenë se kjo është edhe filozofia e emisionit tim Ajsberg. Në momentin që mua më cënohet liria atëherë zgjedh që të largohem. Unë e rifillova Ajsbergun pikërisht se ishin njerëzit ata që më pyesnin se pse nuk po nisja transmetimin.
Në fund të emisionit unë dosjen do ta çoj në katër vende, te KLSH-ja, që do të jetë e para, pasi unë kam më shumë besim. E dyta do të jetë te Prokuroria dhe pse kam pak besim te prokurorja e zgjedhur në mes të tymrave. E treta meqë të huajt kanë hedhur rrjetën për kapjen e peshqve, unë dy kopje do ja çoj ambasadorit amerikan dhe ambasadores së BE-së”, u shpreh Çani.
Gazetari u shpreh qartë se emisioni do të mbyllet në rast se do të ketë tentativa për ndërhyrje nga ana e pronarit të ‘’Fax News”.
(E.K/FAXWEB.AL)