Këtë vit 55% e qytetarëve të Kosovës do të shkojnë në pushime me paratë nga burimet e borxhit dhe marrjes hua. Kurse, 43% nuk e kanë këtë mundësi për pushime edhe pse kanë nevojë.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë një hulumtim rreth pushimeve verore. Sipas këtij hulumtimi, rreth 57 për qind e qytetarëve të Kosovës do të shkojnë në pushime verore, ndërsa 24 për qind nuk e kanë planifikuar një pushim të tillë.
“Nga ky studim rezulton se 57% të qytetarëve të Kosovës do shkojnë në pushime verore, 24% as që kanë në plane pushimin veror, 13% ndoshta, kurse 6% nuk kanë dhe ndonjë përgjigjeje”.
Por, përqindje e madhe kanë treguar se paratë për pushime do t’i marrin në kredi dhe huazime.
“Në pyetjen tjetër ku do i marrin paratë për pushime, rezulton se 40% nga kursimet, 30% nga kreditë, 25% nga huazimet ,5% nuk janë përgjigjur”. .
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se nga kjo mund të konstatojmë se vetëm 57% e qytetarëve të Kosovës e kanë mundësinë të shkojnë në pushime.
“…kurse 43% nuk e kanë këtë mundësi për pushime edhe pse kanë nevojë, kurse nga 57% që e kane këtë mundësi 55% e tyre shkojnë me paratë nga burimet e borxhit dhe huazimet. Në ditët në vijim do të publikohet pjesa e dytë se ku po shkojnë për pushime kosovarët në Verën 2024 dhe sa para do i shpenzojnë”.
Ditë më parë kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se shumë turistë nga Kosova po braktisin Shqipërinë për të vizituar Greqinë apo Bullgarinë. Sipas tij faktor kryesor është liberalizimi i vizave për shqiptarët e Kosovës. Megjithatë Kurtishaj shprehet se shumë pushues nga Kosova nuk e shikojnë të arsyeshme një rritje prej 40% të çmimeve.
“Viti 2024 ka lënë të kuptohet që nuk ka turizëm të qëndrueshëm për disa zona të Shqipërisë pa shqiptarët e Kosovës dhe liberalizimi i vizave ka bërë një ndryshim nga viti 2023. Për dy dekada ne kemi qenë të izoluar nga bota për mundësinë e lëvizjen e lirë. Ishte fat i mirë që liberalizimi u bë e janar dhe shumë shqiptarë të Kosovës plotësuar ëndrrën e tyre për të vizituar vendet e rajonit siç është Greqia për shkak se shumë prej nesh para 20 vitesh i kanë kaluar në Greqi dhe Bullgari dhe unë mendoj që kjo mungesë e pushuesve të Kosovës nuk është pa arsye”
Ai ka treguar se ka rënie të madhe të pushuesve për shkak të rritjes së çmimeve.
“Sipas statistikave ka një rënie të dukshme të pushuesve dhe rritja e çmimeve është një prej arsyeve kryesorë, sigurisht dhe gjetja e plazheve alternative si Greqia dhe Bullgaria mund të jetë një tjetër arsye pse mungojnë turistët prej Kosovës. Megjithatë unë nuk e kuptoj pse duhet të paguaj një pije që kushton 200 lekë në Durrës dhe 700 lekë në jug”./ Monitor