Akset kryesore që lidhin veriun dhe jugun janë blinduar nga Forca të Komisariatit të Policisë së Krujës të mbështetura nga grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Mësohet se këto postblloqe kanë si objektiv kontrollet për persona të shpallur në kërkim, persona të armatosur apo që mbartin sende të tjera të jashtëligjshme.
Burime bëjnë me dije, i janë nënshtruar kontrollit disa automjete të dyshimta.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar rreth kontrollit apo rezultateve të tij, por kujtojmë këtu, fjalët e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili e ka vënë theksin te lufta kundër narkotikëve dhe grupeve kriminale.
“Ndërsa pres më shumë rezultate në ditët e ardhshme, ripërsëris domosdoshmërinë që të shkohet tek “kokat” e këtyre grupeve kriminale sa më shpejt. Publiku dhe çdo familje shqiptare presin që Policia e Shtetit të marrë më shumë përgjegjësi ndaj çdo të riu e të reje, madje dhe adoleshentë, të cilët nuk i dinë sot sa duhet rreziqet e mëdha për shëndetin dhe familjet e tyre, ndërsa bien në grackën e narkotikëve. Prandaj Policia e Shtetit duhet ta vendosë shkatërrimin e rrjeteve të shpërndarësve të lëndëve narkotike në një prioritet kryesor”, ka shkruar Balla vetëm disa orë më parë ditën e sotme.