Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së premtes në aksin e autostradës Mamurras-Milot pranë mbikalimit të Patokut. Një makinë ka përplasur këmbësoren duke e lënë të vdekur në vend gjatë momentit që kjo e fundit po tentonte të kalonte rrugën nga njëri krah në tjetrin.
Ende nuk është bërë i mundur identifikimi i viktimës. Drejtuesi i automjetit, është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij.
Dyshohet se shkak i përplasjes ka qenë momenti i gabuar në të cilin e ndjera ka tentuar të kalojë rrugën por edhe shpejtësia e makinës që e përplasi.
Njoftimi i Plotë:
Kurbin / Informacion paraprak
Rreth orës 07:00, në aksin rrugor Tiranë – Lezhë, në vendin e quajtur ” Mbikalimi i Patokut”, Kurbin, në hapësirën ndërmjet trafikndarësve, është gjetur pa shenja jete një shtetase ende e paidentifikuar, e cila dyshohet të jetë aksidentuar nga mjetet në lëvizje në këtë aks rrugor.
Grupi hetimor në vendngjarje, vijon punën hetimore për identifikimin e shtetases se aksidentuar, kapjen e drejtuesit së bashku me mjetin si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.