Një aksident rrugor ka ndodhur këtë të premte në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, në dalje të qytetit të Peqinit.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur “kokë më kokë”, duke pësuar dëmtime të shumta.
Si pasojë e përplasjes, dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal, ku ndodhen nën kujdes intensiv.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe të emergjencës, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë bërë të mundur largimin e automjeteve të dëmtuara për të rikthyer normalitetin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident të rëndë.