Një aksident masiv ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, pasi 8 makina janë përplasur njëra pas tjetrës pranë mbikalimit të Shën Vlashit. Në vendin e aksidentit, rruga ndodhej e mbuluar nga akulli.
Besohet se shkak është bërë ngrirja e ujit në një pjesë të rrugës, pasi në afërsi të mbikalimit të Shën Vlashit është bllokuar një kanal, duke bërë që uji të vërshojë në autostradë, ku ngrin menjëherë si pasojë e temperaturave disa gradë nën zero.
Sakaq, policia e cila ndodhet në vendngjarje ka kërkuar që firmat e mirëmbajtjes të hedhin kripë edhe në këtë aks rrugor, duke qenë se drejtuesit e automjeteve rrezikojnë për shkak të ngricave. (D.D/Shuplaka)