Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin Patra-Pyrgos, ku sipas policisë greke kanë humbur jetën 3 persona dhe janë plagosur rëndë 3 të tjerë, dy prej të cilëve shqiptarë.
Policia thotë se ngjarja ndodhi pak orë më parë, ndërsa një kamion, në rrethana që ende nuk dihen, rrëshkiti dhe kaloi në krahun e kundërt të autostradës, duke u përplasur ballë për ballë me një kamionçinë që drejtohej nga një 51-vjeçar grek.
Si pasojë e aksidentit, 51-vjeçari grek dhe dy shqiptarë mbetën të vdekur në vend. Ata janë Hava Majko, 49 vjeç, dhe Neim Qamili, 48 vjeç. Të 3 viktimat janë banorë të fshatit Vartolomio të Prefekturës së Pyrgosit.
Të plagosur mbetën dy shtetas të tjerë shqiptarë, një femër 31 vjeç dhe një 40-vjeçar.
Burime lokale thanë se ngjarja ndodhi në një kryqëzim nga më të mëdhenjtë në zonë. Të njëjtat burime sqaruan se, prej verifikimeve të para u konstatua se semaforët nuk punonin, ndërsa kamioni që shkaktoi aksidentin po ecte me shpejtësi jashtë normave të lejuara. (A.R/SHUPLAKA)