Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një të mituri ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme në Fier. Një mjet ka përplasur 15-vjeçarin që udhëtonte me biçikletë, i cili ka ndërruar jetë pas mesnate në spitalin rajonal të Fierit.
Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, shtetasin Egzon Berisha, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Blutë e Fierit po hetojnë në lidhje me shkaqet e aksidentit me pasoja fatale.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 29 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi në datë 23.06.2022, rreth orës 22:00, në aksin rrugor Hamil-Dërmënas, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, ka përplasur shtetasin e mitur 15 vjeç, banues në Hamil, i cili po udhëtonte me bicikletë, dhe është larguar nga vendngjarja.
Shtetasi i mitur ka ndërruar jetë rreth orës 02:00 në spitalin e Fierit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
(E.K/Faxweb.al)