Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin nacional Berat-Lushnje, në “Rotondon e Moravës”. Mësohet se një mjet tip “Mercedes Benz” është përplasur me trafik-ndarësen e rrugës dhe si pasojë e përplasjes mjeti është shkatërruar.
Ndërkohë shoferi është larguar pas aksidentit duke lënë në rrugë mjetin e dëmtuar.
Policia ka rrethuar menjëherë perimetrin dhe po punon për identifikimin e shoferit, ndërkohë që një grup ekspertësh është duke ekzaminuar mjetin nga brenda pasi nuk mund të shpjegohet braktisja e mjetit pas përplasjes.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se mjeti rezulton i marrë me qira në qytetin e Durrësit, por ende nuk dihet identiteti i shoferit. Të njëjtat burime konfirmojnë se dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se pas përplasjes, nga mjeti kanë dalë shoferi dhe një pasagjer, të cilët janë larguar me vrap nga vendngjarja.