Puna e minatorit jo vetëm që është e vështirë, por mund të sjellë edhe pasoja për jetën. Gjatë ditës së sotme, një aksident ka ndodhur në minierën e kromit në Bulqisë.
Shoferi i një kamioni që priste për t’u ngarkuar me mineralin, është plagosur gjatë orarit të punës kur pas një defekti të kamionçinës, minerali i ngarkuar i ka rënë mbi këmbë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.40, ndërsa policia zbulon se është njoftuar nga urgjenca e Spitalit se një njeri i dëmtuar në minierën e kromit, ka shkuar për të marrë ndihmën mjekësore.
“Jashtë ambjentit të minierës së kromit, në fushën ku grumbullohet minerali, në pjacialen e zonës D, kamionçina që transporton mineralin nga ambjentet e brëndshme të minierës në ambjentet e jashtme në pjacale të minierës, gjatë shkarkimit, kamionçinës i është shkëputur krikua që çon kazanin e kamjonçinës ku për pasojë minerali i ngarkuar ka rënë duke i dëmtuar këmbën shtetasit H.A, rreth 31 vjeç, banues në Fushë-Bulqizë, (shoferi i kamionit të madh që priste për tu ngarkuar me mineral).”, sqarohet në njoftimin e Policisë.
I plagosuri është dërguar me Helikopter drejt Tiranës për të marrë një ndihmë më të specializuar sesa në spitalin e Bulqizës. Ndërkohë policia ka nisur punën për të zbardhur detajet e plota të ngjarjes. (D.D/Shuplaka)