Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Nait Hasani, në një intervistë për gazetaren e Fax News, Mirilda Tili, ka folur mbi tragjedinë e ndodhur në Kroaci, ku autobusi me emigrantë që ktheheshin nga Gjermania, doli nga rruga, e për pasojë 10 persona humbën jetën.
Hasani e quajti aksidentin jashtëzakonisht të rëndë, ndërsa foli dhe për gjendjen e personave të plagosur, nga të cilët 15 janë rëndë, mes tyre dhe dy në gjendje kritike.
Ambasadori i Kosovës tha se duhen rishikuar kushtet në të cilat punojnë drejtuesit e mjeteve, ku lodhja është shumë e madhe, pasi për një udhëtim nga Frankfurti duhen 3 ditë për të mbërritur në Kosovë.
“Presidentja e ka shpallur ditën e sotme ditë zie, është një ngjarje e dhimbshme, ku kanë humbur jetën 10 qytetarë të Kosovës, e janë lënduar më shumë se 40 të tjerë, është një rast i dhimbshëm për të gjithë ne.
Të plagosurit që janë trajtuar në spitalet në Kroaci, 15 janë rëndë dhe 2 prej tyre në gjendje kritike, për mua si ambasador, e ndaj dhimbjen me të gjitha familjet. Sot pas kaq vitesh kemi një tragjedi që na përvëlon shpirtin e familjeve tona nga malli.
Qeveria e Kosovës është angazhuar që të kthejë pranë familjes trupat e vuiktimave, dhe të plagosurit, uroj që të plagosurit të tejkalojnë këtë moment të vështirë, dhe shteti të marrë përsipër trajtimin e tyre.
Unë mendoj që shoqatat e transportuesve dhe gjendja e autobuseve është përgjegjësi e institucioneve, por edhe lodhja e shoferëve, udhëtimi nga Frankfurti zgjat 3 ditë, ka pas mjaft aksidente, por jo të këtyre përmasave”, u shpreh Hasani.