Katër të rinj, dy vajza shqiptare dhe dy djem italianë humbën jetën tragjikisht në një aksident në orët e para të mëngjesit në Guidonia Montecelio, komunë afër kryeqytetit italian.
Mediat vendase raportojnë se në automjetin e aksidentuar “Mini Cooper” udhëtonin katër të rinj, dy italianë dhe dy shqiptare. Vajzat janë identifikuar si Xhesika Gjanaj, 19-vjeçe dhe Ambra Shailiani, 18-vjeçe.
Mediat italiane kanë publikuar një rrëfim të babait të shqiptares që humbi jetën, Xhesika Gjinaj, i cili është shprehur mes lotësh se është shumë i tronditur për vdekjen e vajzës së tij.
“Xhesika ka vdekur. Nuk mund të flas më, është e pabesueshme… Ishte e mrekullueshme, nuk kam fjalë. Kam vdekur dhe unë së bashku me të.. Ishin të 4 miq të mirë”, është shprehur ai.
Ato ndodheshin në sediljen e pasme të mjetit, ndërsa dy djemtë të identifikuar si Federico B. 18 vjeç dhe Riçardo M. 19 vjeç, ndodheshin përpara. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes. Nga të dhënat e deritanishme flitet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën udhëtonin të rinjtë. (J.V/Shuplaka)