Vogëlushi që u përplas nga një mjet paraditen e së shtunës tek “Rr. Durrësit” është fatmirsisht jashtë rrezikut për jetën. Ai është duke u trajtuar në spitalin e Traumës, në shërbimin e Neurokirurgjisë.
Pavarësisht se trauma ende nuk ka kaluar plotësisht, 11-vjeçari Lindi po rikuperohet me mbështetjen e familjes së tij. Në një prononcim për “OraNews”, gjyshi i vogëlushit ka shprehur falenderimet për policin që sipas tij i shpëtoi jetën vogëlushit falë ndërhyrjes në kohë.
“Policit unë nuk ia kam emrin, por do t’ia mësoj emrin dhe do ta falenderoj, do ta takoj atë sepse menjëherë polici i ka nxjerrë gjuhën dhe i ka dhënë ndihmën e shpejtë. Nëse nuk t’i jepej ndihma e shpejtë djali do kishte mbaruar. Mbi të gjitha ky shpëtoi, sepse ne jemi edhe besimtarë, por edhe falë mjekësisë. Ne jemi interesuar vetëm për shëndetin e djalit, por mirë do ishte ta kishim takuar, pa dashje e ka bërë edhe ai, por që ka ikur nuk ka bërë mirë, njerëzit bëjnë edhe gabime.”, është shprehur Besnik Keta, gjyshi i Lindit.