Arrest në burg ka qenë vendimi i sapomarrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër, në ngarkim të Vadym Tryfonony, shtetasit ukrainas i cili dy ditë më parë, teksa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij Mercedez Benz, u përplas me një Range Rover në kthesën e Luftinjës, në aksin nacional Memaliaj-Mallakaster, duke shkaktuar vdekjen e një fëmije 7-vjeçar që ndodhej në bordin e Range Rover që drejtohej nga i ati i tij, Blerim Dulaj.
Prokurorja e çështjes, Aulona Haxhiraj, ka dhënë detajet nga aksidenti bazuar nga ekspertimi i grupit hetimor, ku bën fajtor shtetasin ukrainas i cili ka konsumuar veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekje.
Pas kësaj, gjykatësja Entela Selmanaj ka dhënë masën e arrestit burg pa afat. Seanca gjyqësore është zhvilluar në pavionin e kirurgjisë, në spitalin rajonal të Gjirokastrës, nga ku ndodhet i shtruar me fraktura të shumta në gjymtyrë turisti i arrestuar ukrainas i cili kishte ardhur në Shqipëri për pushime pasi kishte prenotuar dhomë për 7 ditë në Ksamil.